Irlanda mposhti në mënyrë dramatike Uellsin në Dublin, duke ruajtur kryesimin në Kupën e Gjashtë Kombeve në Regbi. Pas shkëputjes 2 javore, “jeshilët” e Joe Schmidt kishin sërish favorin e faktorit fushë, teksa pritën në kryeqytet përfaqësuesen e Uellsit, megjithatë këtë herë krejt ndryshe nga takimi me Italinë vendasit vuajtën vërtet shumë, për të siguruar një fitore që ndaj “dragonjve” mungonte që nga shkurti i vitit 2014.

Lojtari më i mirë i takimit u shpall numri 13 Chris Farrell, megjithatë ra në sy për ndeshjen e tij të shkëlqyer gjithashtu Jacob Stockdale që shënoi dy herë në mënyrë të shkëlqyer, duke realizuar të parën provë që në minutën e 6′, për të shuar më pas çdo shpresë të miqve, teksa kuptoi një pasim të “dragonjve” për të finalizuar gjithçka vetë në kohën shtesë.

Të parët që kaluan në avantazh ishin “dragonjtë” që shënuan 3 pikët e para të takimit me Leigh Halfpenny-n, mungesën e të cilit e ndjenë vërtet shumë në Twickenham në duelin me Anglinë. Pas realizimit të parë të Stockdale gaboi në konvertim Jonathan Sexton, që shpërdoroi tre mundësitë e para të ndeshjes, për më tepër nga pozicione të mira, jo shumë larg portës. Nga e gjitha kjo përfitoi Uellsi i Warren Gatland, që u rikthye në epërsi falë numrit 9 Gareth Davies, ndërkaq konvertimi i saktë dhe një penallti e shfrytëzuar mirë nga Halfpenny bënë që miqtë të udhëhiqnin 13-5 pas gjysmë ore lojë, gjithsesi irlandezët reaguan pikërisht në 5’ e fundit falë dyshes Sexton – Aki, për të shkuar në interval me shifrat 15-13.

Dan Leavy dhe Cian Healy e çuan në 27-13 epërsinë e vendasve, megjithatë Aaron Shingler dhe Steffan Evans të ndihmuar edhe nga gjuajtjet e sakta të Halfpenny-t rihapën takimin, duke bërë që 3’ para fundit avantazhi i Irlandës të reduktohej thjesht në 30-27. Në fund “jeshilët” ruajtën qetësinë dhe administruan avantazhin, madje thelluan rezultatin me anë të Stockdale që shënoi në mënyrë spektakolare dhe Irlanda në fund siguroi një fitore të madhe 37-27, duke qëndruar në krye të renditjes pas tre ndeshjeve të para. Kështu falë pikës së bonusit ekipi i Joe Schmidt u ngjit në kuotën e 14 pikëve, për t’u shkëputur me 5 pikë nga kampionët në fuqi, pasi Anglia vetëm pak orë më vonë pësoi një humbje të rëndë në Edinburgh nga Skocia e Gregor Townsend.

Vendasit ishin të papërmbajtshëm dhe falë një loje të shkëlqyer asfaltuan Anglinë e Eddie Jones që në pjesën e parë. Skocia realizoi dy herë në 14‘ dhe 37’ me Huw Jones, ndërsa Sean Maitland shënoi në mes pas gjysmë ore lojë, ndërsa pikët e vetme për Anglinë erdhën pas dy goditjeve standarde të Owen Farrell në 14’ e 17’ dhe skocezët shkuan në interval me avantazhin 22-6.

Numri 12 i “red rose” krijoi iluzionin e një përmbysje të mundshme për miqtë, teksa shënoi që në 3’ të pjesës së dytë, gjithsesi takimin për vendasit e vulosi lojtari më i mirë i ndeshjes Finn Russell, çerek ore përpara fundit, që fiksoi përfundimisht rezultatin 25-13, duke i dhënë në këtë mënyrë Skocisë fitoren e parë pas plot një dekade ndaj përfaqësueses angleze, por njëkohësisht edhe trofeun prestigjioz Calcutta Cup që i jepet që nga viti i largët 1879 ekipit që fiton duelin e përvitshëm ndërmjet tyre. Me këtë triumf Skocia regjistroi fitoren e 9 në 10 ndeshjet e fundit në Murrayfield, duke u ngjitur kështu drejt e në vendin e tretë, me vetëm një pikë më pak se kampionët në fuqi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here