Juventusi skuadra finaliste e edicionit të kaluar viziton për herë të parë në histori Wembley-n, teksa do të përballet me Tottenham Hotspur në takimin e kthimit të fazës së 1/8 në Champions League. “Bardhezinjtë” paraqiten në kryeqytetin britanik pas barazimit të Torinos 2-2 tri javë më parë, kështu që për t’u kualifikuar përsëri për në fazën çerekfinale “Zonja e Vjetër” duhet të bëjë diçka të cilën nuk e ka arritur kurrë më parë në gjithë historinë e klubit, të fitojë në Londër.

Juventusi ka shkuar 2 herë në 3 edicionet e fundit deri në pengesën e fundit, sidoqoftë ndonëse dy klubet nuk mund të krahasohen fare për nga eksperienca në Kupat e Evropës sërish misioni i klubit të famshëm italian mbetet tepër i vështirë, pasi “gjelat” përfaqësojnë ekipin më të mirë të gjithë fazës së grupeve. Në “Piemont” skuadra e Massimiliano Allegri-t kryesoi shpejt e shpejt 2-0 brenda 9′ të para, madje Gonzalo Higuain shpërdoroi një mundësi të shkëlqyer pas gjysmë ore lojë, për t’u shkëputur deri në tre gola epërsi, megjithatë gjithçka në vazhdim shkoi keq për rekordmenët e futbollit italian, sepse pas golit të realizuar nga Harry Kane sulmuesi argjentinas humbi një 11-metërsh në kohën shtesë të pjesës së parë, që mund ta çonte rezultatin në 3-1, ndërsa 20′ para fundit danezi Christian Eriksen shënoi golin e barazimit, duke gjetur të papërgatitur portierin veteran Gianluigi Buffon.

Skuadra e Allegrit është e dënuar për të shënuar patjetër në Wembley-n mitik, për më tepër ndaj një ekipi si Tottenhami, që ka një bilanc të shkëlqyer ndaj klubeve italiane, pasi “spurs” kanë humbur vetëm 3 nga 16 ndeshjet me skuadrat italiane dhe në sfidat me eliminim të drejtpërdrejtë janë thyer vetëm tre sezone më parë nga Fiorentina, në 5 përballje që kanë patur gjithsej me skuadrat nga Apeninet. “Gjelat” në shtëpi nuk njohin humbje në shtatë ndeshjet e fundit me klubet italiane dhe ekipi i Mauricio Pochettino-s merr zemër nga fakti që Tottenhami në Kupat e Evropës është kualifikuar përherë pasi ka barazuar ndeshjen e parë jashtë fushe.

Të dy ekipet paraqiten plot besim, falë formës dhe rezultateve pozitive. Kështu Juventusi nuk mundet prej tre muajsh e gjysmë, ndërsa “spurs” që nga mesi i muajit dhjetor, që nga takimi me Sitin e Guardiolës, pra praktikisht 17 ndeshje pa humbje. 3 pikët me Lacion brenda në Olimpiko, në sekondat e fundit të takimit, rezultat që e rendit “zonjën e vjetër” virtualisht në vendin e parë në Serie A, bëjnë që morali i futbollistëve të Juventusit të jetë tepër i lartë, pavarësisht bilancit tepër negativ ndaj skuadrave angleze, pasi “bardhezinjtë” janë kualifikuar vetëm 5 herë nga 13 duelet që kanë patur ndaj tyre, për më tepër ekipi i famshëm italian në ishull numëron vetëm 3 fitore gjithsej në 21 përballjet me skuadrat angleze.

Trajneri argjentinas nuk do të ketë në dispozicion dy mbrojtësat “Alderweireld” dhe Aurier, ndërsa tekniku toskan në anën tjetër nuk mund të mbështetet dot te emra të tillë si Cuadrado e Bernardeschi, por mbi të gjitha te “bardhezinjtë” do të mungojë pikërisht sulmuesi kroat Mario Mandzukic. Takimi do të drejtohet nga gjyqtari polak Szymon Marciniak, ndërkaq emri i skuadrës tjetër që do të kualifikohet nga mbrëmja e të mërkurës është i njohur prej shumë kohësh, madje dihej pak a shumë që kur u hodh shorti, pasi City i Guardiolës respektoi parashikimet dhe e asfaltoi 4-0 Bazelin që në ndeshjen e vajtjes, tre javë më parë brenda në Zvicër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here