Suela Mëhilli u rendit në vendin e 53-të në garën e slalomit gjigant në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”. Skiatorja shqiptare realizoi me sukses raundin e parë, duke u pozicionuar në vendin e 60-të mes 81 pjesëmarrëseve, me kohën 1 minutë 24 sekonda e 67 të qindtat.

Kjo paraqitje i lejoi 24-vjeçares nga Vlora që të vijonte konkurrimin në raundin e dytë, në të cilën Suela Mëhilli arriti të fitonte 7 vende në krahasim me paraqitjen e mëparshme, duke e mbyllur garën në vendin e 53-të në renditjen e përgjithshme.

Skiatoria shqiptare ishte afro tre sekonda më e shpejt se në raundin e parë. Me kohën e përgjithshme 2 minuta, 46 sekonda e 57 të qindtat në të dyja provat, distanca nga amerikania Mikaela Shiffrin, që ishte edhe fituese e medaljes së artë, ishte mbi 26 sekonda.

Edhe pse larg betejës për zonën e lart të renditjes, paraqitja e flamurmbajtëses kuqezi ishte për tu vlerësuar, pasi Mëhilli arriti që të linte pas vetes afro 30 pjesëmarrëse në garën e slalomit gjigant. Rezultati në Lojërat Olimpike Dimërore të Pyeongchangut, është më i mirë sesa ai që skiatorja shqiptare regjistroi në Sochi 2014, garë në të cilën ishte renditur në vendin e 60.

Këtë të premte, Suela Mëhilli do të konkurrojë edhe në slalom, disiplinë e cila ishte parashikuar të zhvillohej më datën 14 shkurt, por u shty për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe erërave të forta, që e bënin të pamundur zhvillimin normal të garës.
Suela Mëhilli e 53-ta në slalomin gjigand në “PyeongChang 2018”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here