STATISTIKAT/ CR7, Championsi vjen nga koka…

STATISTIKAT/ CR7, Championsi vjen nga koka…

Cristiano Ronaldo në kokë, me kokë dhe me kokën. Madje, edhe në momente kur mendja mund të prodhojë edhe mendime të këqija. Duhet përmbysur një 2- 0, duke u kacavjerrë në muret e ferrit? Cristiano i jep disa goditje me kokë dhe Juvja e gjen veten në parajsë. Dëmtohet me kombëtaren?

CR7 reagon si duhet fale mentalitetit prej fituesi, shërohet dhe i shërben “Zonjës” në Amsterdam ndaj Ajaxit. 34-vjeçari nuk është nga ata që fashon kokën, sepse as që mendon ta thyejë. Torino bardhezi i beson kokës së tij të praruar, teksa mendësia e kampionit “infekton” një skuadër të tërë që kërkon lavdinë në Europë. Falë edhe kokës, Ronaldo nuk është rastësisht golashënuesi më i mirë i Champions-it në të gjitha kohërat.

Nga 125 golat europianë që ka shënuar në karrierë, 23 kanë ardhur me pikën më të lartë të fizikut të tij të skalitur në palestër dhe me regjim të hekurt. 18.4 për qind e golave me kokë, teksa mendja tashmë është e fokusuar vetëm te sfidë e mbrëmjes së sotme, ndaj Ajaxit. Cristiano Ronaldo ka shënuar të paktën një gol në secilën nga pesë ndeshjet e fundit që ka përballur Ajaksin në Ligën e Kampioneve. 51 për qind e golave të portugezit në Europë kanë ardhur në fazën me eliminim direkt të kompeticionit. (64/125)

STATISTIKAT

Shifrat mbase nuk vendosin rezultatin e një ndeshjeje, por thonë shumë mbi kampionët dhe skuadrat.

– Juventusi nuk ka humbur asnjë nga dhjetë ndeshjet e fundit kundër Ajaksit në të gjitha kompeticionet. Asnjë skuadër europiane nuk ka një ecuri më të mirë ndaj një homologeje në Europë. Vetëm Bajerni është në lartësinë e “Zonjës” me dhjetë sfida radhazi pa humbje ndaj Benfikës.

– Juventusi ka humbur dy nga pesë ndeshjet e fundit në shtëpi në Ligën e Kampioneve. Këtë sasi disfatash bardhezinjtë e kishin regjistruar në 45 ndeshjet që paraprinë pikërisht ciklin e pesë ndeshjeve të fundit.

– Duke u kualifikuar ndaj Ajaksit, Juvja mund të arrijë gjysmëfinalen e tretë të kompeticionit në pesë të fundit.

– Hera e fundit që Ajaksi ka fituar të paktën tri transferta radhazi në Ligën e Kampioneve ishte mes nëntorit të vitit 1995 dhe marsit 1997. Asokohe, “harkëtarët” fitonin shtatë ndeshje larg Amsterdamit.

– Ajaksi nuk arrin gjysmëfinalet e Champions-it që nga sezoni 1996-’97, por me një kualifikim sot ndaj Juves, “harkëtarët” mund të bëhen ekipi i parë që arrin mes katër më të mirëve të kontinentit pas PSV-së në sezonin 2004-’05.

– Pas një serie prej shtatë humbjesh në tetë transferta kundër ekipeve italiane, Ajaksi nuk njeh humbje në katër të fundit, kur ka fituar dy herë dhe ka barazuar po aq.

– Dushan Tadiç ka qenë pjesë e aksioneve që kanë sjellë 53 për qind të golave të Ajaksit në edicionin aktual të Ligës së Kampioneve. Serbi ka kontribuar në shënimin e gjashtë golave dhe ka dhënë tri asiste në 17 që ka realizuar e gjithë skuadra. Lojtari i fundi që ka shënuar më shumë se Tadiç në një sezon të vetëm të Champions-it për Ajaksin ka qenë Jari Litmanen në sezonin 1995-’96. Finlandezi në atë kohë shënonte plot nëntë gola europianë.

 

 

Leave a Comment