Rikthim te Juve apo…? Conte: Zgjedh projektin më të mirë

Rikthim te Juve apo…? Conte: Zgjedh projektin më të mirë

Antonio Conte do të rikthehet në pankinë dhe kjo do të ndodhë në muajin qershor. Ajo që duhet të mësohet është skuadra ku do të shkojë trajneri italian, i cili po shijon pushimet pas shkarkimit nga ana e Chelseat.

Klubet që pretendojnë shërbimin e Contes nuk janë të paktë. Në Itali, emri i tij është përmendur në ambientet e Romës e Interit, e në orët e fundit është folur edhe për një rikthim te Juventusi, pavarësisht deklaratës së Allegrit se do të qëndrojë në pankinën bardhezi.

Sa u përket klubeve europiane, duket se Bayern Munchen ka shfaqur më shumë interes për Conten. Ky i fundit, në një intervistë për “Tuttosport” theksoi se, vetëm në qershor do të bëjë të ditur destinacionin e tij të ardhshëm.

“Ende nuk e di se ku do të shkoj, por me siguri do të zgjedh një skuadër që ka një projekt bindës për mua. Në qershor do të vijë edhe njoftimi”, tha Conte.

“Tani jetoj në Londër, vajza ime Vittoria studion anglisht dhe unë i dhashë mundësinë që ta studiojë atë për të gjithë vitin. Përditshmëria është një problem për ne, sepse jetojmë në Cobham, ku është edhe shkolla e vajzës sime, por edhe qendra stërvitore e Chelseat. Kështu që futbolli është fiksuar në mendjen time. Sidoqoftë, eksperienca ime te Chelsea ishte e rëndësishme dhe e kënaqshme”, shtoi më tej tekniku italian.