Luftëtari vijon përgatitjet në Antalia, por vëmendja vazhdon të mbetet në merkato. Presidenti Tavo, i cili udhëtoi së bashku me mbrojtësin Ivan Jakovljevic drejt Turqisë pak ditë më parë është rikthyer dhe duket se ka në fokus për të bërë një tjetër goditje në merkato. Drejtuesit e klubit konfirmojnë për Supersport se në parim është arritur marëveshja me portierin grek Christos Athanasopulos, ardhja e të cilit pritet më datë 20 Janar. Pikërisht atëherë është vendosur që të hidhet edhe firma në kontratë me 36-vjeçarin, duke përjashtuar këtu ndonjë surprizë të çasteve të fundit. Bluzinjtë nuk janë bindur nga forma e portierit elbasanas Amarildo Çekrezi, më të cilin kishin arritur një marëveshje. Por pas testimeve në tokën turke është arritur mirëkuptimi që palët të ndahen, duke bërë që gjirokastritët të zgjedhin pikërisht grekun Athanasopulos si alternativë të Shkëlzen Ruçit.

Gjithashtu po punohet që të arrihet marrëveshja për kalimin e Alesio Hysenit nga Flamurtari te Luftëtari. Ngërçi mbetet tek mënyra e këtij transferimi, pasi në Vlorë e shohim si një lojtar me perspektivë dhe kërkojnë ta japin në huazim. Bluzinjtë në krahun tjetër dëshirojnë kartonin e mesfushorit, për të synuar më pas ndonjë goditje të tipit Bregu dhe Abazaj. Me shumë kujdes drejtuesit e Luftëtarit po shohin mundësinë për të bërë një goditje të fundit që do të forcojë akoma më shumë skuadrën. Deri më 31 janar gjithçka mbetet e hapur, me drejtuesit që do të kërkojnë t’i vendosin në dispozicion trajnerit Hasan Lika një skuadër të aftë për t’u përballur me këdo.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here