Mik me Kapelon dhe baba slloven, ja “sekretet” e italianit Edi Reja

Mik me Kapelon dhe baba slloven, ja “sekretet” e italianit Edi Reja

Trajneri i ri i Shqipërisë, Eduardo (Edi) Reja, nuk është një italian “puro”. 73-vjeçari ka lindur në fshatin Loçnik, që ndodhet në periferi të qytetit slloven, Gorica, pranë kufirit me Italinë. Babai i Rejës ishte slloven, ndërsa nëna e tij ishte italiane. Megjithatë, jeta e trajnerit që u zyrtarizua dje në pankinën kuqezi është lidhur vetëm me Italinë.

edi reja

Ai është në gjendje të flasë edhe gjuhën sllovene, por jo aq rrjedhshëm sa atë italiane. Reja njihet në vendin fqinj si një mik i ngushtë i legjendës së trajningut italian, Fabio Kapelo. Me këtë të fundit u njoh që në vitet ’60, kur të dy luanin në mesfushë te SPAL. Reja është martuar me gruan e tij Livia në vitin 1969, teksa mediat italiane raportojnë një histori interesante për këtë lidhje.

Ai e njohu për herë të parë Livian ndërsa ishte në dhomë me Fabio Kapelon gjatë një grumbullimi në Ferrara, kur të dy luanin me SPAL 1907. Në Serinë A si futbollist Reja numëron 124 ndeshje të luajtura deri në vitin 1975, kur dhe u tërhoq nga futbolli për të nisur trajningun .

KARRIERA

Reja filloi karrierën si trajner në vitin 1979 te Molinela në Serinë D. Në sezonin e ardhshëm drejtoi Monselicen në Serinë C2, derisa iu dha mundësia në 1989 për të qenë për herë të parë drejtues i një klubi në Serinë B, pikërisht te Peskara. Në të njëjtin kampionat ka drejtuar edhe ekipe si Kosenca, Leçe dhe Bresha, ku ai fitoi edhe titullin e Serisë B. Ishte pikërisht trajner në kohën kur nisi karrierën Andrea Pirlo.

Reja

Reja vendosi të heqë dorë për të trajnuar Breshan në Serinë A pas ngjitjes, duke preferuar të pranojë një ofertë nga Torino, një tjetër skuadër e Serisë B. Këtë të fundit nuk arriti ta ngjiste në A, pasi u mund në fazën “play-off” me penallti nga Peruxhia. Megjithatë, gjatë sezonit 1998-1999, ai u emërua për herë të parë trajner në Serinë A dhe pikërisht te klubi i Viçencës. Në sezonin 2002-2003, ai u emërua te Katania, duke zëvendësuar Xhon Toshak.

NAPOLI DHE LACIO

Në janar 2005 mori drejtimin e Napolit në Serinë C, duke e ngjitur fillimisht në Serinë B dhe më pas në A. Napoli nuk ishte paraqitur në nivelin më të lartë të futbollit italian që nga viti 2001. Në vitin e tij të parë me Napolin, e kualifikoi në zonën evropiane, duke marrë pjesë në Kupën Intertoto, ndërsa atë sezon arriti fitore të paharrueshme kundër Interit dhe Milanit. Për këtë sukses, ai u konfirmua në krye të Napolit në sezonin 2008-2009. Por, pas një ecurie mbresëlënës në pjesën e parë të sezonit, duke qenë edhe në krye disa javë, rezultatet u përkeqësuan shpejt në gjysmën e dytë, me Napolin që nuk arriti të merrte pjesë në Europë. Reja u shkarkua më 10 mars 2009 pas humbjes në shtëpi 0-2 nga Lacio.

Reja Tare

Trajneri i ri i Shqipërisë mbahet mend si njeriu që punoi për herë të parë me lojtarë që u bënë më pas yje të Serisë A si Ezekuiel Laveci, Marek Hamshik, Valter Gargano, Salvatore Aronika, Kristian Maxho dhe Paulo Kanavaro. Në vitin 2010 Reja pranoi ofertën e Lacios dhe ktheu fatin e një klubi në tronditje, duke e udhëhequr atë nga zona e uljes në një fund të lumtur. Falë aftësive të Rejas, shkëlqyen me Lacion lojtarë si Mauro Zarate, Kristian Ledesma dhe Stefano Mauri, ndërsa rol kyç mori edhe braziliani Hernanes.

Më 17 maj 2012 Reja dha dorëheqjen, pavarësisht lutjeve të presidentit Lotito për të qëndruar. Por, ai rikthye më 4 janar 2014, duke përfunduar sezonin në vendin e nëntë. Qëndroi vetëm gjashtë muaj dhe më pas në mars 2015 mori drejtimin e Atalantës, duke mbyllur një sezon të suksesshëm me bergamaskët, që qëndruan në elitë.