Laçi ka siguruar biletën për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Trajneri Gentian Mezani në përfundim të takimit komentoi fitoren e arritur ndaj Luftëtarit në transfertë. Tekniku i kurbinasve ishte i lumtur për kualifikimin edhe pse ka rezerva për lojtarët e tij.

“Së pari i gëzohemi kësaj fitoreje. Të gjitha skuadrat që kualifikohen janë pretendente për trofeun. Për momentin duhet t’i kënaqemi këtij rezultati të sotëm dhe të mendojmë për në vazhdim. E dija që do të ishte një ndeshje e vështirë, edhe pse ne kishim fituar takimin e parë. Nëse do të pësonim gol në pjesën e parë edhe mund të kishim rrezikuar ndeshjen. Ne nuk e shohim rezultatin e kaluar. Duhet të mendojmë vetëm të fitojmë ndeshjen kur futemi në fushë.

Një rezultat 3-0 në Laç na dha ngrohtësi dhe pak siguri, por e rëndësishme është të qëndronim me këmbë në tokë pasi nuk kishte përfunduar asgjë. Në pjesën e dytë Luftëtari luajti me lojtarë si Abazaj, Rroca dhe Bregu natyrisht që ishte vështirë, sepse ata janë futbollistë që luajnë titullarë edhe në kampionat”.

I pyetur nëse do të dëshironte Skënderbeun rival në gjysmëfinale, Mezani theksoi që secili ekip është i fortë, pasi kërkon arritjen e objektivit, Kupën.

“Secila skuadër që të jetë, mendoj që ne duhet të jemi të përqendruar sepse të gjithaë të vënë në vështirësi. Skënderbeu nuk do të toleronte nëse do të vinte në gjysmëfinale për Kupën, edhe ata luftojnë për këtë. Kupa është e rëndësishme edhe për ta. Ne duhet t’i marrim me shumë se seriozisht ekipet kundërshtare, pasi janë shumë të forta. Mendoj që sportistët vetë kanë pasur disi tolerim, por kjo mund të rezultonte negative. Nëse do ta kishim zgjidhur lojën që në pjesën e parë, në të dytën doja të liroja disa futbollistë titullarë. Dalja e Kallakut me të kuqe na detyroi të bënim ndërrimet e duhura”- përfundoi Mezani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here