Rikthimi në Itali ishte dëshira më e madhe dhe ëndrra e Azdren Llullakut u realizua. Porsi një dhuratë përpara 30-vjetorit të lindjes, sulmuesi i Kombëtares u prezantua te skuadra e tij e re, Virtus Entella. Klubi i Serisë B italiane njoftoi edhe zyrtarisht afrimin e lojtarit të lindur në Istog, vetëm pak ditë pas arritjes së akordit.Llullaku që do të mbajë numrin 18 në fanellë, kthehet të luajë përtej Adriatikut, pas eksperiencës së pafatë në Kazakistan. Fillimisht transferimi në Janar 2017 të Astana, më pas huazimi te Tobol dhe së fundmi marrëveshja e munguar me Ordabasy, ekip të cilit iu bashkua në fazën përgatitore, madje ku shënoi edhe një gol në miqësore.

Ajo që bindi klubin që lufton për mbijetesën ishte paraqitja e edicionit të kaluar e sulmuesit, që u shpall golashënuesi më i mirë i Ligës së Parë rumune me 16 gola në 20 ndeshje për Gaz Metanin. Llullaku iu bashkua Virtus Entella-s pavarësisht mbylljes së afatit të transferimeve, duke përfituar nga rregulli i transferimeve të futbollistëve pa skuadër.Sulmuesi i bashkohet Naser Alijit, shokut në përfaqësueses kuqezi, i cili u transferua gjatë merkatos së dimrit, pasi në pjesën e parë të këtij sezoni ishte pa ekip. Me dy shqiptarët në kontingjent, klubi nga Liguria shpreson të realizojë objektivin e këtij sezoni, që është qëndrimi në Serinë B italiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here