Skënderbeu fiton pak qetësi për sa i përket Bajram Jashanicës. Mbrojtësi u detyrua të linte ndeshjen në sfidën me Teutën në minutën e 85-të, duke krijuar ankth në kampin korçar, pasi fillimisht u mendua për një këputje të ligamenteve, diçka që do ta mbyllte që tani sezonin e 27-vjeçarit, duke vënë madje në rrezik gjithë karrierën, por me të mbërritur në spitalin e Korçës sinjalet kane qenë pozitive.

Mjekët kanë konstatuar se Jashanica ka patur atë që në gjuhën popullore quhet nxjerrje e kupës së gjurit dhe ia kanë çuar menjëherë në vend. Mbrojtësi më pas është dërguar në shtëpi, ku është lënë pushim për një periudhë të pacaktuar, ndërkohë që është shprehur se nuk ndien dhimbje. Sido që të jetë, Jashanica do të mungojë për të paktën 3 javë, por kjo ishte e keqja më e vogël që i druheshin në kampin korçar, ku frika më e madhe ishte për këputjen e ligamenteve.

Gjithsesi, për të saktësuar çdo gjë dhe larguar përfindimisht çdo frikë për këtë opsion, mbrojtësi do të kryejë një rezonancë magnetike pas 2-3 ditëve për të konfirmuar se nuk ka probleme me ligamentin, por sipas të dhënave të para që vijnë nga klubi dhe futbollisti, janë të gjitha shanset që Jashanica të mos ketë komplikime dhe të fillojë fazën e rikuperimit për t’u kthyer në fushë pas afërsisht një muaji.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here