Hijet e përdorimit të substancave të ndaluara në kampionatin italian të futbollit janë rikthyer.

Braziliani i skuadrës së Kaljarit, Zhoao Pedro, rezultoi pozitiv me një hormon diuretik pas testeve të bëra nga agjencia antidoping italiane, në përfundimin e sfidës së ishullorëve kundër Sasuolos, në 11 shkurt.

Substanca e ndaluar me emrin hidroklorotiazid la gjurmë në gjakun e futbollistit latin pas përballjes që u mbyll pa gola dhe në të cilën Zhoao Pedro luajti për 90 minuta. Me lojtarin e Kaljarit që do të duhet tani të bëjë kundëranalizat dhe të japë shpjegime, para sanksioneve të pritshme, bëhen dy raste në Serinë A që zbulohen nga antidopingu këtë vit.

Shtatorin e kaluar rezultoi pozitiv kapiteni i skuadrës së Beneventos, Fabio Luçioni. Në rastin e tij, substanca e gjetur nga testet ishte klosteboli, një anabolizant gjithsesi i ndaluar, që është certifikuar se rrit artificialisht performancën fizike dhe që e pezulloi një vit.

Tashmë, radarët kthehen te Zhoao Pedro, mesfushori brazilian që deri tani ka shënuar 5 gola me fanelën e Kaljarit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here