Fitorja në trasfertë mungon prej 22 Dhjetorit 2017. Flamurtari kërkon ti kthehet ecurisë pozitive jashtë fushe, prej kësaj të shtune në Durrës, si mënyrë për të ruajtur diferencën nga ndjekësit dhe për të shpresuar te hapi fals i Skënderbeut kryesues.

Shpëtim Duro

“Nuk e shikoj nga klasifikimi. Teuta është një skuadër që në fillim të kampionatit u formua të jetë në pjesën e sipërme të renditjes. Por, nuk shkoi ashtu si e mendonin, megjithatë është treguar se Teuta ka lojtarë cilësor dhe do vlerësim maksimal për të arritur rezultat pozitiv. Patjetër ata kanë presion për situatën e vështirë ku janë, por ne kemi detyrat të jemi sa më të suksesshëm deri në fund të sezonit në të dyja kompeticionet”.

Ndërsa Tounkara e Zhuffo janë të dëmtuar dhe Bici i pezulluar, Muarem Muarem është rikuperuar, por stafi mendon ta mbajë në stol deri sa ylli i ekipit të rigjejë formën optimale. Gjithsesi rikthimi më i rëndësishëm i vlonjatëve është Shpëtim Duro. Trajneri e pranon se ndoshta e teproi me akuzat, por flet për standarde të dyfishta në dënime kur bëhet fjalë për Flamurtarin.

Shpëtim Duro

“Kam 20 e ca vjet karrierë dhe është dënimi i parë që marr. Ishte për të prishur syrin. Kthehet unë dhe kolegu im Beqiri. Ndoshta e kam tejkaluar pak me fjalorin, por dënimi i Beqirit me 8 ndeshje ka qenë i pakuptimtë, vetëm për një fjalë, kur shikohet qartë se çdo javë ka gjykim të fakteve me dy standarde. Edhe me trajnerët dhe lojtarët ka dënime minimale në raport me dënimet shumë të ashpra ndaj Flamurtarit në këtë sezon. Patjetër që për Flamurtarin ku sezon ka qenë i jashtëzakonshëm nga gabimet e arbitrave. Skuadrat duhet të marrin atë që u takon në fushë dhe arbitrat nuk duhet të bëhen protagonistë”.

I pyetur rreth rrezikut të dënimit të Skënderbeut nga UEFA, Duro shprehet krenar që ishte ndër nismëtarët e ecurisë rekord të korçarëve, ndërsa e sheh këtë situatë si goditje për të gjithë futbollin shqiptar.

Shpëtim Duro

 “Kam qenë trajner i vitit të parë kampion i Skënderbeut dhe jam krenar për këtë fakt, sepse i hapi rrugës historisë së sukseshme të Skënderbeut në pesë vite. Ndoshta po të mos ishim shpallur kampion jam i bindur që sponsorët mund të ishin larguar. Jam krenar për atë që kam bërë me Skënderbeun dhe skuadrat e tjera. Jam pjesë e komunitetit të futbollitdhe nuk më vjen mirë nëse do të merret vendim ashtu siç parashikohet për Skënderbeun, sepse do të ishte një goditje jo vetëm për atë ekip, por për të gjithë futbollin shqiptar. Nuk duhet të gëzohemi apo të kënaqemi”.

Trajneri kuqezi dënoi edhe agresionin ndaj kolegut të Vllaznisë, Ernest Gjoka.

Shpëtim Duro

 “Është e tmerrshme dhe skandaloze. për fat në gjithë këtë kohë në futboll nuk kam përjetuar një situatë të tillë. Por, kjo është e tmerrshme. Nuk është problemi se i ndodhi një trajneri, por është skandaloze dhe duhet patjetër të gjendet autori. Shkaku është banal, si ndodh rëndom në futbollin shqiptar, që kërkojnë të luajnë futboll pa e merituar. Kjo ngjarje duhet të zbardhet sa më shpejt për të mirën e futbollit shqiptar”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here