Ajax gati të blindojë strategun e tij

Ajax gati të blindojë strategun e tij

Ecuria e jashtëzakonshme në UEFA Champions League por edhe vendi i parë në kampionat dhe arrita në finalen e Kupës së Holandës kanë detyruar drejtuesit e Ajax të rishikojnë kontratën aktuale të strategut të kësaj skuadre, trajnerit Eric ten Hag.

Për 49-vjeçarin po shfaqin interes disa prej klubeve më të mëdha të Europës, mes tyre edhe Bayern Munich që kërkon ta rikthejë në Gjermani aty ku Ten Haag ka punuar për 2 vite nga 2013-ta në 2015-ën ku ka drejtuar skuadrën e dytë të Bayernit në kategorinë e 4-t.

Holandezi është nën kontratë me Ajaxin deri në verën e vitit 2020, por në ditët e ardhshme drejtori sportiv i harkëtarëve ish-futbollisti i famshëm holandez Marc Overmars pritet ti ofrojë një marrëveshje të re Eric ten Hag-ut me një pagë të përmirësuar ndjeshëm.

Overmars në një intervistë për mediat holandeze theksoi se nuk pritet që mes trajnerit dhe klubit të ketë probleme për të firmosur marrëveshjen e re dhe gjithçka është një formalitet.