Përfaqësuesi i Gareth Bale, Jonathan Barnett, ka thënë se lojtari i tij, që luan me Real Madridin, ka një vlerë prej të paktën 222 milionë eurove, të njëjtin çmim, sa është paguar verën e kaluar nga PSG-ja për të nënshkruar me brazilianin Neymar. Barnett, gjithashtu, konsideron se Bale do të konkurrojë në të ardhmen për të fituar “Topin e Artë” dhe theksoi se uellsiani është shumë i lumtur te Real Madridi, në një intervistë të botuar sot nga e përditshmja sportive italiane, “Tuttosport”. “Klienti im vlen të paktën 222 milionë euro, sa Neymar. Por, Gareth është shumë i lumtur te Real Madridi. Ai do të qëndrojë në Madrid”, – ka thënë përfaqësuesi i ish-lojtarit të Tottenham, duke pretenduar se klienti i tij është tashmë një pikë referimi për “Los Blancos”. “Gareth nuk ka nevojë që Cristiano Ronaldo të largohet nga skuadra, madje tani është një yll i Real Madridit”, – shpjegoi ai.

Përfaqësuesi i ndërkombëtarit të Uellsit, gjithashtu, tregoi një moment rreth operacionit që dërgoi Bale te Real Madridi në verën e vitit 2013, pasi klubi i bardhë pagoi më shumë se 100 milionë euro për Tottenhamin. “Më kujtohet stilolapsi që më dha mua Florentino Perez, një zotëri i madh. Ajo që ka rëndësi më shumë është marrëdhënia optimale, që ka lindur me Florentinon”, – shtoi ai. Jonathan Barnett, gjithashtu, njoftoi se Bale ishte afër nënshkrimit me një klub italian, të cilin nuk e përmend, kur ai ishte te Tottenham, por shpjegoi se klubi i Londrës së Veriut nuk e pranoi këtë ofertë. “Ai është i lumtur në Madrid. Në futboll gjithçka mund të ndryshojë shpejt, ju kurrë nuk e dini çfarë do të ndodhë, por unë sinqerisht besoj se asnjë klub italian nuk mund të blejë Bale”, – tha agjenti i uellsianit, kur u pyet nëse sheh ndonjë shans që klienti i tij të zbarkojë në Seria A. Në intervistë, Barnett vlerësoi profesionalizmin e klientit të tij, duke e quajtur atë “një shembull për fëmijët, që nuk pi alkool dhe është shumë i vëmendshëm ndaj ushqimit”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here