Administratori i deleguar i Juventusit Giuseppe Marotta e bën të qartë se Paulo Dybala nuk largohet nga Torino. Ndërkohë që te “Zonja e Vjetër” janë në kërkim të futbollistëve cilësorë, e një ndër ta është edhe Emre Can.
“Emre Can është një nga ata lojtarë që i mbaron kontrata në fund të sezonit kështu që kjo na lejon ne që të nisim kontaktet me të dhe përfaqësuesit e tij. Është një futbollist mjaft i mirë dhe një mundësi e mirë dhe sigurisht që do të bëjmë gjithçka që ta sjellim në Torino. Në javët e ardhshme do të intensifikojmë kontaktet me të”, sqaroi drejtuesi i bardhezinjve.
Ai foli më pas edhe për zërat që kanë të bëjnë me largimin e Claudio Marchisio-s dhe Dybala-s.
“Marchisio është një futbollist me rëndësi, që ka pasur këtë dëmtim mjaftueshëm serioz.
Ne duam të kemi një grup që nuk përbëhet vetëm nga 11 titullarët. Synojmë të krijojmë konkurrencë brenda grupit. Mendoj se si Marchisio, ashtu edhe Emre Can bëjnë punë në mesfushë.
Dybala? Do të rrijë te Juvja pa dyshim. Ne shesim vetëm kur një lojtar kërkon që të largohet”.
Marotta e pranon se një futbollist për të ardhmen mund të jetë koreano-veriori Kwang-Song Han, aktualisht në huazim te Peruxhia, por në pronësi te Cagliari-t, me të cilin mund të mbyllet shumë shpejt akordi., “Do ta provojmë”, premtoi drejtuesi.
Në fund, diçka edhe për Cristiano Ronaldo-n dhe lajmet se ai te Reali nuk ndihet mirë e po mendon të largohet. “Është e pamundur që Juvja të mund ta mbyllë një operacion të tillë. Të gjitha do ta donin atë në ekip, por duhet që të përballemi me realitetin. Në këto momente është e pamundur për çdo ekip italian”, përfundoi drejtuesi bardhezi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here