Në prag të ndeshjes me Lushnjën, në program për t’u luajtur të shtunën, shtohen lajmet e mira dhe optimizmi te Vllaznia. Qendërmbrojtësi lezhjan, Renato Malota i është bashkuar klubit në stërvitje dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Gjoka.

Ai është parë në qendrën stërvitore të shkodranëve, duke u përshëndetur me përzemërsi me shokët e skuadrës, stafin teknik dhe drejtuesit e klubit. Mbrojtësi ishte pjesë e listës së personave që u akuzuan nga prokuroria e Lezhës për falsifikim të pronave në bregdet.

“Sot Gjykata vendosi për hetim në gjendje të lirë ndaj meje ngaqë nuk kishte fakte të mjaftueshme për mua. Një vendim që ka ardhur ngaqë u konstatua se unë personalisht nuk kam asnjë firmë të hedhur në asnjë dokument për të cilin jam akuzuar dhe po ashtu, edhe certifikata e pronësisë nuk është tërhequr nga institucionet përkatëse. Po vërtetohet ajo që kam thënë prej fillimit se unë jam i pafajshëm në gjithë këtë histori. Sot erdha sa për të takuar drejtuesit dhe shokët e ekipit dhe nesër do të jem në stërvitje dhe në dispozicion të stafit teknik”, tha Malota për faqen zyrtare të klubit shkodran.

Natyrisht që kjo ka qenë një surprizë e bukur për shkodranët, që do të kenë sërish në dispozicion një nga mbrojtësit më ekspertë të Superiores, ndërsa për takimin me Lushnjën do të rikthehen edhe të pezulluarit Mersini, Gocaj dhe Sukaj, duke plotësuar formacionin e Gjokës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here