Luftëtari pak ditë më parë kreu një lëvizje të rëndësishme në hyrje, duke rikthyer në Gjirokastër Lejdi Licajn, por edhe merkatoja në dalje nuk ka munguar, që me largimin e Zguros.

Së fundi, klubi jugor ka njoftuar ndërprerjen e marrëdhënies kontraktuale me Valdo Zeqajn. Mbrojtësi iu bashkua gjirokastritëve në fillim të këtij edicioni, kur skuadra drejtohej nga uruguaiani Fernandez, por në asnjë moment nuk arriti të përshtatej në qytetin e gurtë. Vlonjati zhvilloi 11 paraqitje me fanellën e Luftëtarit, duke mos qenë një lojtar stabël në formacionin e skuadrës bluzi.

Palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët me 22-vjeçarin, që do të kërkojë një skuadër, e cila mund t’i ofrojë më shumë minuta, ndërkohë që klubi gjirokastrit ende nuk e ka mbyllur merkaton dhe mund të afrojë elementë të tjerë për të plotësuar grupin e lojtarëve.

Luftëtari e mbylli pjesën e parë të edicionit me një seri pozitive rezultatesh, duke fituar 3 takime radhazi ndaj Kamzës, Partizanit dhe Kukësit. Skuadra e Hasan Likës ndodhet aktualisht në vendin e 7-të dhe të premten do të përballet me kryesuesit e Skënderbeut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here