Interi duket se po përgatitet për të bërë një sezon merkatoje mjaft aktiv, për të ndryshuar një pjesë të mirë të skuadrës, me qëllim që të rikthejnë skuadrën në nivelet që i takon. Gjithsesi, edhe këtë vit zikaltrit nuk do të jenë të palimituar në shpenzimet e tyre, të paktën nëse nuk shesin një futbollit me peshë.

Për këtë arsye, Piero Ausilio e ka vënë theksin te futbollistët që mund të vijnë me kosto të ulët, apo edhe falas. Aktualisht po punohet shumë për të afruar Stefan De Vrij, që largohet në qershor si lojtar ilirë nga Lazio. Zikaltrit kanë një akord me lojtarin, por ende jo me agjentët, pasi po negociohen komisionet e tyre.

Krahas holandezit, me mjaft vëmendje po ndiqet edhe mbrojtësi i majtë i Juventusit, Kwadwo Asamoah, të cilit gjithashtu i përfundon kontrata me bardhezinjtë në muajin qershor. Edhe këtu duket se gjërat janë në rrugë të mbarë dhe me këta dy futbollistë, por edhe konfirmimin e Cancelos, për shumën e 35 milionë eurove, zikaltrit duket se sistemojnë repartin e prapavijës.

Sa i përket mesit të fushës, është thuajse i sigurt largimi i Brozoviçit, teksa plani i drejtuesve të Interit është që të konfirmojnë Rafinhën dhe të afrojnë fantazistin brazilian të Shakhtarit, Bernard. Edhe ky i fundit do të jetë një lojtar i lirë në qershor dhe zikaltrit i kanë ofruar një kontratë 4-vjeçare, me 3 milionë euro në sezon. Gjithashtu, po ndiqen më vëmendje lojtarë të rinj si Donsah i Bolognës, por edhe Cristante i Atalantës, të cilët mund t’i bashkohen zikaltërve për një shumë më të vogël se 30 milionë euro.

Sulmi do të jetë reparti ku priten më pak ndryshime, pasi grupit aktual pritet t’i bashkohet vetëm Lautaro Martinez. Por skenarët mund të ndryshojnë, nëse kapiteni Icardi vendos të largohet, pasi paratë që do të arkëtohen, mund t’i lejojnë Interit të tentojë afrimin e ndonjë emri që ‘ndez’ fantazinë e tifozëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here