Nicolas Gaitan dhe Yanick Ferrreira- Carrasco kanë zgjedhur Lindjen e Largët për të vijuar karrierën, pasi është zyrtarizuar transferimi i tyre nga Atletico i Madridit, në kampionatin kinez të futbollit. Argjentinasi dhe belgu kanë vendosur të pranojnë ofertën e Dalian Yifang dhe janë dy afrimet më të fundit të klubin nga Liaoning.

Gaitan e Carrasco kanë qenë të pranishëm në qendrën stërvitore të Atleticos, ku janë përshëndetur me pjesën tjetër të skuadrës dhe po përgatisin udhëtimin e tyre për në kontinentin aziatik. Presidenti i klubit kinez, Wang Jianlin zotëron edhe 15 përqind të aksioneve tek Atletico, ndërsa kompania e tij “Dalian Wanda Group” ka paguar për të drejtat e emrit të stadiumit “Wanda Metropolitano”.

Ferreira-Carrasco dhe Nicolas Gaitan po kalonin një sezon në hije tek “Los colchoneros” dhe oferta e ardhur nga Dalian u pranua pa shumë dilema nga klubi. Raportohet se 30 milion euro janë kaluar në llogarinë e madrilenëve për mesfushorin belg, me 25 përqind të kësaj shifre që do t’i shkojë Monacos në bazë të marrëveshjes së vitit 2015, kur mesfushori u largua nga Montecarlo për në Madrid.

Carrracso pritet të përfitojë 11.5 milion euro në sezon nga kontrata e tij e re, ndërkohë 18 milionë euro ka arkëtuar klubi bardhekuq për kartonin e Gaitan. Ish lojtari i Benficës do të nënshkruajë për 3 sezone. Nën shënjestrën e aziatikëve është edhe sulmuesi Fernando Torres dhe duke qenë se hapësira e merkatos në Kinë mbyllet më datë 28 Shkurt, ekziston mundësia që edhe ky transferim në linjën Madrid-Dalian të konkretizohet me sukses.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here