Të mërkurën pasdite e tërë Vushtrria do të mundohet të gjejë një vend në stadiumin “Fërki Aliu” për të përcjellë ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll.

Disfata nga skuadra më e madhe kosovare FC Prishtina prej 1-0, i jep një rast të mirë vushtrriasve që ta përmbysin epërsinë e kryeqytetasve dhe të kualifikohen për herë të parë në histori të klubit në finalen e madhe.

Optimizmi tek lojtarët dhe tifozët vushtrrias është i lartë dhe real, pasi të gjithë besojnë në përmbysje dhe fitore ndaj Prishtinës që udhëtim e favorizuar pavarësisht epërsisë minimale nga dueli i parë.

Derisa Prishtina do të jetë e kompletuar për këtë ndeshje, nga ana tjetër në dyshim mbetet inkuadrimi i sulmuesit kryesor të Vushtrrisë, Labinot Osmani, i cili pësoi lëndim në nyjën e këmbës në ndeshjen e fundit kampionale ndaj Ramiz Sadikut, por krejt varet nga ai dhe trajneri Isa Sadriu nëse do të inkuadrohet në lojë, për faktin se në fundjavë Vushtrria e luan ndoshta ndeshjen vendimtare për rikthim në Vala Superligë, pasi udhëton te lideri i ligës së pare, Keku.

Prishtina ka qenë në tetë finale të Kupës nga edicioni 1991/92, prej të cilave i ka fituar pesë, kurse për Vushtrrinë do të ishte hera e parë që do të luante në një finale të madhe të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll.

Ndeshja nis të mërkurën nga ora 15:00.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here