Vllaznia do të ketë një fundjavë favorizuese në letër. Kuqeblutë do të presin Lushnjën në “Loro BOrici” ndërkohë që Teuta do të udhëtojë në transfertën e vështirë të Gjirokastrës. Shkodranët gjatë këtij edicioni ja kanë gjetur “PIN”-in lagunarëve, duke i mposhtur në trija sfida e zhvilluara, me 6 gola të realizuar dhe vetëm një të pësuar.

Trajneri Gjoka vjen thuajse me organikë të plotë në këtë sfidë. Sukaj, Mersini e Gocaj janë të gjithë të gatshëm, ndërsa i vetmi që nuk do të zbresë në fushë është Malota, i cili i ka zgjidhur problemet me drejtësinë, por nuk ka kryer përgatitjen javore me ekipin. Andi Ribaj ishte vendimtar në fitoren ndaj Skënderbeut dhe ka gjasa të jetë titullar përkrah Sukajt, megjithëse mund të mbulojë rolin e sulmuesit të dytë.

Në anën tjetër Lushnja vjen me dëshirën për ta respektuar garën, pavarësisht se nuk ka arritur të koleksionojë asnjë pikë në të gjithë fazën e 3-të. Verdhëjeshilët e kanë kthyer në tabu stadiumin e Shkodrës ku kanë marrë vetëm një pikë në 25 vitet e fundit, ndërsa përsa i përket fitoreve në tërësi ndaj Vllaznisë, Lushnja ka triumfuar vetëm një herë nga viti 2005 deri më tani duke u mposhtur në 11 raste. Kuqeblutë nisen dukshëm të favorizuar në këtë sfidë dhe kanë shansin të zgjasin distancën ndaj Teutës pikërisht një javë përpara supersfidës për mbijetesë që do të zhvillohet në Durrës.

Po në orën 14:00, Teuta do të zbresë në fushë në Gjirokastër, me synimin për të marrë një tjetër 3-pikësh mbijetese. Durrsakët vijnë pas dy fitoresh radhazi, fillimisht me Lushnjën dhe më pas me Laçin, por sërish janë në zonën e rënies.

Nga ana tjetër edhe Luftëtari ka synimet e veta për ta fituar takimin, pasi këtë sezon është shumë pranë sigurimit të një vendi në zonën europiane, që do të ishte historike për klubin gjirokastrit. Të dy trajnerët kanë organikën e plotë në dispozicion dhe do të kenë mundësi të aktivizojnë formacionet më të mira, për të synuar fitoren në takimin e sotëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here