Përforcimet e Vllaznisë në merkaton e janarit kanë rikthyer edhe interesin e tifozëve në Shkodër. Për ndeshjen e kësaj të premteje, e para për vitin kalendarik 2018, stadiumi “Loro Boriçi” pritet të jetë i mbushur më tepër se asnjëherë tjetër gjatë këtij sezoni.Në entuziazmin e mbështetësve duket se kanë ndikuar blerjet kualitative të kuqebluve. Nga rikthimi në shtëpi i Xhevahir Sukajt, që cilësohej si lojtari që i ka munguar Vllaznisë gjatë këtyre viteve të fundit në sulm, te përforcimi i mbrojtjes.

Afati i transferimeve të dimrit shërbeu për të riparuar mbi të gjitha repartin difensiv, atë që ka qenë pika më e dobët e skuadrës në gjysmën e parë të edicionit. Me 22 gola të pësuar në 16 ndeshje shkodranët kishin mbrojtjen e tretë më të dobët të Kategorisë Superiore. Përforcimi i mbrojtjes me Berishën dhe Malotën në qendër, por edhe Mersinin në krah shihen si një pikë kthese në sezonin e Vllaznisë.

Të gjithë në Shkodër janë kuriozë të shohin se çfarë do të bëjë ndryshe skuadra e Ernest Gjokës, duke nisur nga ndeshja e parë ndaj kampionëve në fuqi të Kukësit. Nën drejtimin e Pakult veri-lindorët janë shfaqur si skuadra shqiptare më në formë në mini-fazën në Antalia, çka i bën ata një test sa të vështirë, aq edhe të rëndësishëm për Vllazninë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here