Vllaznia shkon thuajse e kompletuar drejt fundjavës në një tjetër finale të parakohshme të kampionatit. Shkodranët, të cilët vijnë me moralin lart pas suskesit me Skënderbeun, presin në shtëpi javën e ardhshme Lushnjën. Për këtë 90-minutësh trajneri Ernest Gjoka ka grupin e plotë në dispozicion, pasi rikthehen nga skualifikimi mbrojtësit Olsi Gocaj dhe Ergis Mersini si dhe sulmuesi Xhevahir Sukaj.

Gjithashtu, infermierinë e ka lënë edhe mesfushori Florind Bardulla, që i është bashkuar grupit në seancat stërvitore. Problem te të kuqeblutë mbetet mungesa e Renato Malotës në qendër të mbrojtjes por për momentin boshllëkun e lënë nga lezhjani trajneri kryeqytetas e ka mbuluar me aktivizimin e nigerianit Nuredin Orelesi. Forma e mirë e Andi Ribajt vendos në dilemë 48-vjeçarin e stolit të Vllaznisë, pasi rikthimi i Sukajt mund të hapë skenarë të rinj.

Nëse Gjoka do të vendosë të vijojë me të njëjtin modul, do të ketë konkurrencë midis dy sulmuesve për vendin e titullarit, teksa alternativë është edhe vendosja me dy sulmues në fushën e lojës, një skemë e përdorur nga trajneri edicionin e kaluar te Kukësi, me të cilin fitoi titullin kampion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here