Seanca stërvitore e paradites së të enjtes ishte e fundit për Vllazninë në Malin e Zi. Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka përfundoi minifazën e dimrit në Ulqin dhe tashmë kthehet në Shkodër, për t’u dhënë dorën e fundit përgatitjeve, përpara rifillimit të aktiviteteve zyrtare. Sipas stafit teknik të kuqebluve, përgatitjet u mbyllën me sukses, me të gjithë lojtarët që janë në gjendje të kënaqshme dhe kanë marrë ngarkesën e nevojshme fizike. Ajo që ka më tepër rëndësi është integrimi i në skuadër i katër përforcimeve të merkatos, nga Renato Malota, Sedat Berisha dhe Ergys Mersini në mbrojtje, për të vazhduar me Xhehavir Sukajn në sulm. Garanci e fituar në mbrojtje dhe kualiteti i shtuar te skuadra në përgjithësi dhe në sulm në veçanti. Rikthimi në shtëpi i Xhehavir Sukajt përveç shpresës për golat që i nevojiten ekipit në garën për mbijetesë ka shërbyer edhe në aspektin psikologjik.

I vetmi aspekt që stonoi gjatë përgatitjeve në Malin e Zi ishin miqësoret, ku përveç testit me Vllazninë B, kuqeblutë nuk arritën të siguronin një kundërshtar të dytë. Për këtë arsye, u arrit marrëveshja për të luajtur me Tërbunin, këtë të premte në Shkodër. Pavarësisht se kundërshtari nuk është i nivelit më të lartë, ndeshja cilësohet tejet e rëndësishme, pasi ajo do të jetë prova gjenerale e Vllaznisë përpara startit të kampionatit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here