Suksesi në transfertë ndaj Lushnjës për momentin riktheu qetësinë e munguar tek Flamurtari. Vlonjatët të cilët në kampionat kishin një fazë të tërë pa fituar mund të marin frymë lirisht dhe të shkojnë me moralin e duhur në sprintin final të edicionit. Megjithatë jo gjithcka shkon vaj në vlorë pasi edhe në fitoren që riktheu qetësinë, ka diçka që prish humorin tek kuqezinjtë. Pikërisht përpara ndeshjes ndaj skuadrës së vendit të fundit në klasifikim ka shpërthyer çështja Franc Veliu, me qëndërmbrojtësin që ishte projektuar të luante titullar dhe gjithashtu të mbante në krah shiritin e kapitenit. Megjithatë senatori i kuqezinjve refuzoi të mbante statusin e kapitenit në këtë takim, veprim që nuk është pëlqyer nga trajneri Shpëtim Duro i cili e ka larguar edhe nga formacioni. 29-vjeçari pritej të ishte një armë më shumë për vlonjatët, pasi rikthimi nga dëmtimi e pa të integrohej në skuadër dhe në këtë moment të rëndësishëm të sezonit shihej si një mbështetje edhe në aspektin psikologjik për grupin. Flamurtari luan në mesjavë ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës ndaj Skënderbeut  dhe më pas do të jetë kampionati që do t’i krijojë një ngjeshje kalendari dhe sforcim për futbollistët. Dëmtimet dhe pezullimet janë pjesë e lojës ndërkohë që sjellja e ish-kapitenit është diçka e papranueshme në një moment kaq delikat të sezonit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here