Flamurtari ndal “hemorragjinë” e humbjeve, por sërish nuk arrin të rikthehet te fitorja, pasi përballë Kamzës nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2. Kamza gjeti e para avantazhin, që në pjesën e parë, pas një 11-metërshi të kontestuar nga vlonjatët, por të ekzekutuar saktë nga Stevan Raçiç.

Vlonjatët u rikthyen në lojë në minutën e 73-të, pasi Sidibe shënoi në portën e Gjonikajt dhe i dha barazimin skuadrës së Duros. Vetëm dy minuta më pas, Ditmar Bicaj ndëshkohet me karton të kuq, për një faull si lojtar i fundit, në vijën e 16-metërshit, duke penalizuar vlonjatët.

Goditjen e dënimit e merr përsipër Plaku dhe topi përplaset në mur, por në vijimin e aksionit, është sërish sulmuesi i Kamzës, ai që dërgon topin në rrjetë dhe i jep avantazhin skuadrës së Ndreut.

I dëshpëruar Flamurtari hidhet në sulm, në kërkim të golit të barazimit dhe në minutën e 82-të arbitri akordon 11-metërsh për skuadrën e Duros tashmë, pas një faulli në zonë të Zguros, ndaj Kamarasë. Penalltinë e ekzekuton Juffo, që e dërgon topin në rrjetë, duke barazuar e4dhe njëherë shifrat. Në minutat në vijim, vlonjatët u hodhën në sulm, në kërkim të golit të fitores, por nuk ia dolën të dërgojnë sërish topin në rrjetë.

Në Durrës, Teuta flirtoi me 3 pikët ndaj Skënderbeut, por kjo ndodhi deri në minutat shtesë të takimit, pasi James u prishi festën, duke shënuar golin e barazimit.

Hila kaloi në avantazh vendasit në fillim të pjesës së dytë, pas ekzekutimit të saktë të një 11-metërshi, ndërsa Skënderbeu barazoi në minutën e 92-të, falë golit të shënuar nga James. Në minutën e fundit shtesë, Moçka shkoi sërish në zonë për të shënuar, por goditja e tij këtë herë, nuk përfundoi në rrjetë.

Pas javës së 25-të të Superiores, Skënderbeu thellon akoma distancën nga Kukësi ndjekës, ndërsa Laçi i afrohet edhe më shumë vendit të dytë dhe Luftëtari ngjitet në vendin e 4-t. Sa i përket zonës së mbijetesës, distance mes Vllaznisë dhe Teutës vijon të mbetet 4 pikë, pasi të dyja skuadrat morën nga një pikë në takimet respektive sot.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here