E thirrin Mesi. Është pjesë e Genk në Belgjikë dhe duhet të vendosë me kë do të luajë: për Kombin, apo për shtetin. Një zgjedhje e vështirë për Edon Zhegrovën, por gjithçka varet nga ajo që i kanë injektuar prindërit që në vegjëli. Që është shqiptar nuk e luan topi, pavarësisht se ku ka lindur, në Tepelenë, Shkodër, Prishtinë a Gostivar. Në fakt ka mësuar të ecë në Gjermani.

Vetë Zhegrova së fundmi ka konfirmuar ftesën e Shqipërisë. Sulmuesi 18-vjeçar është ftuar nga Christian Panucci për ndeshjen miqësore me Norvegjinë që luhet në mars. “Kam marrë ftesë zyrtare nga Kombëtarja A e Shqipërisë për ndeshjen përballë Norvegjisë dhe jam shumë i lumtur për këtë. Nga përfaqësuesja A e Kosovës akoma nuk kam marrë as edhe një ftesë, përveç përfaqësueses U21. Këto ditë do të vendosi për cilin shtet do të luaj”, thotë Zhegrova për “gazetablic”.

Por në Federatën e Futbollit të Kosovës nuk është se e kanë pritur mirë këtë dhe do të ketë një reagim, sikurse është shprehur sekretari i përgjithshëm i FFK, Eroll Salihu: “Lojtari është 18 vjeçar ai ka marrë ftesën nga përfaqësuesja U21 dhe sigurisht është në planet tona. Ne i kemi dhënë rastin të vijë të luajë për U21 dhe gradualisht do të ftohet edhe nga përfaqësuesja A. Do t’i zgjidhim shumë shpejt me Federatën e Shqipërisë këto çështje , sepse nuk shkon kështu më, Federata e Kosovës do të reagojë shumë shpejtë dhe do t’i mbrojmë lojtarët tonë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here