Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i ka rikthyer Skënderbeut trofeun e sezonit 2015-2016, i hequr nga Komisioni i Etikës së Federatës Shqiptare të Futbollit bazuar në raportet e UEFA-s, duke marrë një vendim në bazë të dyshimeve.

Në një intervistë për Top Channel, presidenti i skuadrës korçare Ardian Takaj tregon sesi është pritur ky lajm i mirë që i ka mbërritur nga drejtësia sportive e Lozanës, në këtë periudhë të zymtë që po kalon skuadra e tij.

“Ishte një mëngjes shumë i bukur, ishte një vendim që ne e prisnim normalisht, sepse ishim të bindur në çfarë kërkonim, kur iu drejtuam CAS-it. Ishte një titull i mohuar me pa të drejtë nga vendimi i Etikës. Kundërshtarët duhet të jenë të bindur, sepse titujt e kampionateve merren në fushat e lojës, nuk mund të merren as me VKM apo me Komisione Disipline”, tha presidenti Ardian Takaj.

Megjithatë, Skënderbeu mbetet në një tjetër proces gjyqësor, këtë herë jo me FSHF-në, por me qeverinë europiane të futbollit, UEFA-n, që sipas presidentit Takaj edhe atë do ta fitojnë, pasi po dënohen kot në bazë të dyshimeve.

“Nuk na intereson fare ulja e dënimit. Duhet ose falje, ose dënim! Këtë presim ne, e nuk na intereson asnjë vit ulje. Edhe një vit dënim do të ishte tepër për Skënderbeun. Ne jemi këtu me merita të plota sportive, sepse nëse qëndrojmë në kuadrin e dyshimeve mund të akuzojmë të gjitha ekipet e botës. E patë se ç’është bërë këtë javë. U mposht Barcelona 3-0 nga Roma, e jo mos rrihet Skënderbeu 5-1 nga Sportingu, edhe në inferioritet numerik. Ky nuk është ndonjë lajm i madh, as ndonjë çudi europiane, që të shkruhet sesi ka mundësi Skënderbeu të mundet nga Sportingu”, theksoi më tej Takaj.

Në fund, presidenti i klubit korçar ka edhe një mesazh për të gjitha klubet shqiptare, që pretendojnë të përfitojnë nga ky moment i vështirë i Skënderbeut.

“Po të shikosh arritjet e Skënderbeut, kanë rritur edhe koefiçentin e kampionatit shqiptar, duke lënë pas Hungarinë e shumë vende më të zhvilluara sesa ne në futboll. Këto janë në bazë të arritjeve të Skënderbeut. Këta kundërshtarët tanë duhet të dinë që për këto 3 vite, prej Skënderbeut kanë marrë nga 100 mijë euro në arkat e tyre. Të paktën ndonjë ditë, ndonjëri prej tyre të ketë kurajon t’i thotë faleminderit Skënderbeut”, deklaroi Takaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here