Vetëm një javë pas takimit Inter – Roma kampionati italian ofron një tjetër klasike të aksit Milano – Romë. Bëhet fjalë natyrisht për përballjen Milan – Lazio, një duel tepër interesant që do të luhet dy herë në harkun e vetëm katër ditëve, për shkak të përplasjes tjetër që do të kenë këto dy klube mesjavën e ardhshme, kur në San Siro do të mbahet akti i parë përsa i përket fazës gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Në La Skalën e Serisë A në orën 18:00 do të zbresë Lacio, pikërisht skuadra më në formë, sigurisht pas dyshes Napoli – Juventus. Një sezon vërtet fantastik për bardhekaltërit që krenohen si skuadra që ka shënuar më shumë deri në këtë pikë të kampionatit. Me gjithë tre golat e realizuar në takimin e prapambetur ndaj Udinezes ekipi i Simone Inzaghi-t preku shifrën 56, duke iu afruar mesatares 2,7 gola për ndeshje, për më tepër në një edicion kur Lacio ia doli mbanë për të dalë me 3 pikët nga shtëpia e Juventusit, dicka që nuk ndodhte prej plot 15 sezonesh. Aktualisht në kampionat “bardhekaltërit” po mbajnë poshtë dyshen Inter – Roma, gjë që dukej tepër e vështirë në fillimin e sezonit, ndërkaq pavarësisht kualifikimit mes katër skuadrave më të mira në Kupën e Italisë vlen të theksohet edhe prania e Lacios gjithashtu në Europa League. Vetë trajneri emilian pranon se dy përballjet e fundit me Kievon dhe Udinezen i kanë kushtuar shumë energji ekipit, në aspektin fizik, e sikur të mos mjaftonte kjo në skuadër do të mungojë përsëri golashënuesi më i mirë i Serisë A, Ciro Immobile. Në krahun tjetër për herë të parë pas plot katër muajve Milani ia doli mbanë për të siguruar dy fitore radhazi në kampionat, duke u afruar sërish me Zonën Evropiane. Gatuzo nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Rikardo Rodrigez, i cili pritet të zëvendësohet nga Kalabria ose Antoneli, gjithsesi në kampin kuqezi ka doza të theksuara optimizmi, në radhë të parë prej përmirësimit të dukshëm në formë nga ana e futbollistëve të Milanit, ku spikat ish-i Lucas Biglia, por mbi të gjitha edhe prej faktit që Lazio nuk fiton në Stadiumin Meazza ndaj “kuqezinjve” që nga 1989 e largët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here