Kampionati shqiptar mbetet një treg interesant në prodhimin apo reklamimin e futbollistëve vendas dhe të huaj. Pavarësisht problemeve që mund të ketë futbolli ynë, tregu është ai që vlerëson më së miri nivelin e tij.

Gjatë verës lëvizja më e bujshme ishte shitja e Latifit tek “Akademia Pushkas” ndërkohë që gjatë kësaj periudhe nga Superiorja për një të ardhme më cilësore janë larguar kroati Ivan Fustar nga Kamza dhe Edon Hasani nga Vllaznia. Nëse Skënderbeu është vitrina e kampionatit shqiptar me pjesëmarjen në fazën e grupeve në Europa League, edhe shtegtimi drejt Antalias për fazën përgatitore dhe ballafaqimi me skuadra të nivelit europian, ka bërë që shumë prej futbollistëve të skuadrave tona të tërheqin vëmendjen. Pa diskutim që rezultatet më të mira në testet miqësore i ka patur Kukësi, ndërkohë që në dyert e kampionëve janë afruar disa ekipe, duke kërkuar informacion për mbrojtësin Simon Rrumbullaku dhe sulmuesin Sindrit Guri. Prej shumë muajsh të gjithë flasin për “xhevahirët” e Luftëtarit Dejvi Bregu, Kristal Abazaj dhe Eduart Rroca, futbollistë me shumë potencial dhe me një të ardhme të madhe përpara. Dy të parët mendohet të jenë afrimet e para të Skënderbeut në verë, por pavarësisht kësaj lëvizjeje nuk mungon interesimi edhe nga tregu i huaj për ta. Së fundmi Chievo e Serisë A ka kërkuar informacion për Kristal Abazajn, çka konfirmon që kampionati shqiptar vijon të jetë në rritje.

Po të hedhësh sytë edhe në faqen e specializuar “transfermarkt” e kupton që klubet shqiptare nga Skënderbeu i vendit të parë deri te Lushnja e vendit të fundit kanë pësuar rritje në vlerat e futbollistëve, çka përkthehet me një rritje ekonomike të garës në vend.

Sot në Superiore ka të rinj premtues dhe shumë të talentuar, që të bëjnë të besosh se rasti “Cikalleshi” nuk do të jetë si një pikë uji në oqean, por çdo sezon do të mësohemi me emra të rinj që do të shpërthejnë pikërisht këtu për të kërkuar diçka më të mirë në elitën e futbollit europian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here