Kristal Abazaj ndëshkon me një dygolësh Skëndrbeun, skuadrën e tij të ardhshme, duke i dhuruar tri pikë mjaft të vlefshme Luftëtarit në premierën e 2018-ës. 21-vjeçari, ndoshta i paragjykuar para kësaj sfidë për faktin se është blerë pikërisht nga klubi korçar dhuroi spektakël para tifozëve gjirokastritë, duke konfirmuar se mbetet një nga elementët më të spikatur të Superiores.

Skënderbeu shkakton panik në zonën e Luftëtarit që në minutën e dytë, por për fatin e bluzinjve goditja e Xhejms u stampua në traversë. Luftëtari arrin të dalë rrezikshëm në sulm dhe në një nga këto momente arrin të shënojë me Kristal Abazaj, që përballë Shehit vepron si një sulmues i lindur, duke e dërguar topin në rrjetë.

Skuadra e Hasan Likës, mjaft e qartë në lojën e saj i afrohet sërish golit me Bregun, që nuk gjen katërkëndëshin. Në fund të pjesës së parë Ruçi i mohon këmbë golin Xhejmsit, ndërsa në shtesë Bregu me një goditje të lirë shkund rrjetën e jashtme.

Për Skënderbeun gjërat shkojnë edhe më keq në pjesën e dytë. Radasin nuk e mbajnë nervat nga sharjet e tifozëve dhe reagon ndaj tyre, por ky veprim u kushton rëndë pasi kryesori e ndëshkon me karton të kuq.

Në inferioritet numerik dhe pa një mbrojtës mjaft cilësor korçarët pësuan të dytin, nga i njëjti autor, Kristal Abazaj, që e kapi të papërgatitur portierin Shehi. 2-0 për Luftëtarin, rezultat që nuk ndryshoi as në kohën shtesë.

Teuta e nis me një barazim të papritur me Lushnjën 2018-ën. Formacioni i Stavri Nicës edhe pse arriti të përmbyste disavantazhin fillestar të “lagunarëve” u ndëshkua në pjesën e dytë nga Sefa, duke marrë vetëm një pikë në shtëpi.

Skuadra durrsake e nis keq lojën, pasi në minutën e 10-të një goditje e Cankës e devijuar nga mbrojtja përfundoi në rrjetë. Reagimi i Teutës ishin i shpejtë, fillimisht me Fabian Beqajn në të 24-ën, ndërsa tre minuta më vonë Çyrbja u dha epërsinë vendasve me realizimin e një 11-metërshi.

Pikërisht pas akordimit të penalltisë pati një reagim nga tifozët e paktë të Lushnjës në “Niko Dovana”, duke detyruar kryesorin që të ndërpriste ndeshjen, ndërsa forcat e rendit shoqëruan disa prej tyre.

Në pjesën e dytë Teuta u mundua të kontrollonte lojën, pa rrezikuar në prapavijë, por në minutën e 57-të një sulmues me eksperiencë si Fsatjon Sefa ktheu baraspeshën në rezultat. 2-2 u mbyll ky takim, pasi “Djemtë e Detit” nuk mundën të realizonin një tjetër gol në minutat e mbetura për të marrë fitoren.

Kamzës i mjaftuan më pak se tre minuta lojës për ta kaluar në epërsi me Ymerin, që realizoi pas ngulmimit të gjatë të vendasve në zonën e kurbinasve. Pavarësisht këtij fillimi të vrullshëm nuk pati gola të tjerë në fraksionin e parë të lojës.

Gjithsesi, skuadra e Gentian Mezanit arriti të barazonte në minutën e 58-të me Reginaldon, që shndërroi në gol një 11-metërsh të shkaktuar në dëm të Gjonit. Në të 74-ën, vetëm 4 minuta pasi kishte zëvendësuar Ymerin, Imeri në të majtë të sulmit lëviz bukur duke rikthyer avantazhin në favor të Kamzës. Por skuadra e Ndreut nuk u mjaftua me kaq. Në minutën e 86-të Mehmeti realizoi golin e tretë për rezultatin përfundimtar 3-1.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here