Kategoria Superiore vjen këtë mesjavë me ndeshjet e javës së 25-të, dy prej të cilave do të luhen në orën 14:00 dhe 3 të tjerat në 17:00.

Pas sukesit në ndeshjen ndaj Teutës, Kukësi do të ketë një transfertë të veshtirë me Luftëtarin, skuadër që i befasoi verilindorët në fazën e dytë brenda në “Zeqir Ymeri”. Kukësi do të kërkojë të blindojë vendin e dytë, ndërsa bluzinjtë rikthimin te suksesi për zonën europiane. Takimi Luftëtari-Kukësi do të luhet në orën 14:00.
Në të njëjtën orë, Lushnja do të presë Laçin në “Roza Haxhiu”. “Lagunarët” praktikisht e kanë prerë biletën për në Kategorinë e Parë, ndërkohë që kurbinasit vijnë të karikuar pas asaj fitoreje 4-2 ndaj Flamurtarit.
Pasditja e javës së 25-të të kategorisë superiore rezervon të tjera ndeshje interesante në orën 17:00.
Vllaznian-Partizani është dueli mes dy skuadrave që kanë objektiva të ndryshëm. Kuqeblutë vazhdojnë garën me një synim të qartë dhe të vetëm, mbijetesën. Të paktën, për momentin, skuadra e Ernest Gjokës ka mundur të krijojë një distancë prej 4 pikësh nga Teuta e vendit të parafundit dhe sigurisht që do të kërkojë ta mbajë pas ekipin durrsak pse jo me një diferencë edhe më të madhe. Nga ana tjetër të kuqtë nuk humbasin prej 3 javësh dhe këto rezultate kanë rindezur shpresat për një biletë europaine.

Flamurtari, që ka katër ndeshje radhazi pa fituar në kampionat, pret në Vlorë Kamzën më synimin për të larguar sa më parë krizën e rezultateve. Edhe skuadra e Ramadan Ndreut ka patur një periudhë rënieje në javët e fundit dhe shpeson të kthehet me pikë nga Vlora, për të mos u përfshirë në garën për mbijetesë.

Kalendar i vështirë për Teutën, që pas humbjes me Kukësin pret në “Niko Dovana” Skënderbeun kryesues. Korçarët janë të pandalshëm në kampionat, ku kanë krijur një distancë të ndjeshme nga Kukësi i vendit të dytë, ndërsa “Djemtë e Detit” po vuajnë presionin rezultateve negative dhe sigurisht të pozicionimit në zonën e ftohtë. Ky duel gjithmonë është luajtur me plot rivalitet në sezonet e fundit dhe i tillë pritet të jetë edhe këtë të mërkurë.

E mërkurë

Luftëtari – Kukësi         14:00

Lushnja – Laçi               14:00

Teuta-Skenderbeu       17:00

Vllaznia-Partizani         17:00

Flamurtari-Kamza        17:00

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here