Thomas Strakosha këtë sezon është kthyer në një pikë referimi te Lazio. Këtë e tregoi edhe në sfidën e mesjavës ndaj Udineses, ku në të paktën dy momente ishte vendimtar me ndërhyrjet e tij. Portieri i Kombëtares Shqiptare për nga pjekuria që ka treguar duket sikur ka vite që mbron portën e bardhekaltërve, kur, në fakt, kanë kaluar vetëm 15 muaj që nga momenti kur debutoi si titullar me skuadrën nga kryeqyteti. Pikërisht në “San Siro”, ndaj Milanit, do të kthehet të luajë këtë fundjavë.

Milan-Lazio e sezonit të shkuar shënoi startin e një rrugëtimi deri më tani fantastik për 22-vjeçarin. Në atë takim Strakosha pati shumë pak gabime dhe disa pritje që tregonin sinjalet e qarta për një të ardhme të ndritur. Zgjedhja e Simone Inzaghit, i cili duhet të vendoste mes Vargic dhe Strakoshës, rezultoi e goditur.

Tashmë “gardiani” kuqezi është i lidhur plotësisht me ngjyrat e Lazios, ndaj dhe klubi nuk mund të mos ia shpërblente paraqitjet e mrekullueshme me rinovimin e kontratës deri në Vitin 2022, sigurisht duke i caktuar edhe një rritje të konsiderueshme të pagës vjetore.

Aktualisht Strakosha është me të drejtë një ndër personat që e interpreton më së miri rolin e portierit në një kampionat ku historikisht nuk kanë munguar “gardianët” e aftë.

Këtë të diel do të rikthehet në “San Siro” jo më si një njeri të cilit i ra fati të luajë në stadiumin mitik të qytetit të Milanos, por tanimë si një protagonist absolut i lazialëve dhe një prej talenteve më tërheqës të Serisë A.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here