Është një lumë që vërshon Sulejman Starova në konferencën e tij të parë të 2018-ës. Çështjet për të folur në fakt te Partizani nuk mungojnë, duke nisur nga lëvizjet e shumta që kanë ridimensionuar skuadrën por jo objektivat e klubit të kuq.

“Nuk ia ndryshojmë dot objektivat Partizanit, është një ekip legjendë që kërkon gjithmonë trofe. Kush e merr këtë skuadër ka këto objektiva. Ekipi s’ka vuajtur për impenjim, kemi vuajtur për gjëra të tjera”.

Merkato emergjence por për diçka Starova është i sigurt, e ardhmja është për të padyshim më e mirë se periudha e lënë pas.

“Merkato e dimrit është merkato riparimesh, por ne e kishim kapitale, na duheshin më shumë se të tjerëve. Kemi edhe dy ndeshje për të mbyllur fazën, me Vlorën dhe Kamzën. Sipas objektivit që kemi, kemi bërë mirë në fazën e dytë dhe i kemi të gjitha mundësitë për të arritur objektivat. Me merkaton që është e vështirë në këtë periudhë, skuadra po mbushet dhe shpresojmë lojtarët e afruar të përshtaten”.

Kundërshtar i vështirë Flamurtari. Mban vendin e dytë në renditje dhe ka shpenzuar jo pak, por Starova kujton se diferenca në klasifikim edhe përballë një Partizani me shumë probleme nuk është e madhe.Vështirë të harrohet debati publik mes tij dhe Shpëtim Duros, por për Starovën nuk është një sfidë personale.

“Ka nis një sezon me financa të fuqishme, duke llogaritur që ne nuk e nisëm mirë dhe sot jemi katër pikë larg tyre. E njohim kundërshtarin, njohim lojtarët, i njohin të gjithë. Presidenti i tyre ka bërë financime, është ndeshje e vështirë, shkojmë për rezultat pozitiv. Do kërkojmë pikët që duam”.

A do të ketë një shtrëngim duarsh mes tyre, mundet, por me një kusht.

“Çfarë është ky kuriozitet? Ka një rregull, mysafiri pret një përshëndetje nga vendasit, nuk shko mysafiri të japë dorën”.

Starova nuk preferon të japë një shpjegim të detajuar për largimet e Krasniqit, Vilës dhe Malotës, ndërkohë që ka një përgjigje dhe për enigmën e madhe të këtij sezoni, Edgar Canin.

“Çani është një lojtar që ka vuajtur personalisht, por edhe ne si skuadër, pasi e kishim llogaritur si lojtar që do bënte diferencën. Nuk ka pasur mundësinë të luajë dhe të japë maksimumin. Në fund të javës bashkohet me skuadrën, nuk ka më probleme”.

Pyetja nëse ka frikë se Partizani mund të pësojë fatin e Tiranës së sezonit të kaluar nuk i pëlqen, por përgjigja është interesante kur flet për atë se çfarë ndodhi me rivalët bardheblu.

“Po ta dini historinë e Tiranës, nuk do ma bënit këtë pyetje. Fali gjashtë pikë, i dhuroi, pastaj u braktis nga tifozët dhe u gjet një terren për ta sulmuar edhe me gjykimet. Motivet pse ra ishin të shumta. Kishte skuadër që nuk mund të binte nga kategoria. Arsyet e tjera bënë që të shkonte në atë pikë. Nuk ka lidhje me ne. Po përpiqem t’iu argumentoj, se duke llogaritur që janë larguar lojtarë që ishin në tribunë, nuk kanë luajtur fare, jemi detyruar të futemi sërish në merkato. Tani po garantohet konkurrenca, edhe pse është një periudhë e shkurtër të bëjmë të pamundurën”.

Përgjigje të shumta në stilin Starova, kaq mjafton për konferencën, tani fjalën e ka fusha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here