Ish trajneri i Partizanit, Sulejman Starova ishte i ftuar në emisionin Procesi Sportiv, në Top Channel, ku foli për herë të parë pas largimit nga klubi i kuq. Starova theksoi se ndihet i keqardhur për mënyrën se si e larguan nga Partizani, dhe tha se kishte menduar një tjetër ndarje, më dinjitoze.

“Kam 30 vjet që punoj te Partizani dhe ndihem i keqardhur që më larguan në atë mënyrë. Më dhemb zemra, do të doja një tjetër ndarje. Olsi Rama u shpreh se do emëronin Dalipin, për të përmirësuar stërvitjen, ndërkohë që dy muaj më parë thanë se kanë rikthyer një trajner ekspert, që e njeh mirë kampionatin. Kjo deklaratë ishte një ofendim për mua, që Olsi nuk kishte pse e bënte, gjithsesi, është e drejta e Gaz Demit si president, që të marrë vendimet në atë klub”, tha Starova.

Ish trajneri i Partizanit tregoi edhe raportet e tij me këshilltarin e Presidentit Demi, Luciano Moggin, teksa tha se ka pasur edhe një telefonatë nga ai.

“Moggi më telefonoi dhe më tha se Olsi Rama nuk dinte gjë për mua, pavarësisht se nuk kishte shumë simpati për punën time. ‘Kështu si erdhi puna, do flas me Presidentin dhe miqtë e mi në Tiranë dhe nuk kthehem më as unë’, më tha Moggi në telefon”, tregoi Starova.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here