Ndonëse derbi përfundoi në barazim pa gola dhe Icardi ishte ‘humbësi’ i madh, me dy raste të shpërdoruara me portën e boshatisur, Luciano Spalletti e sheh sërish gotën gjysmë plot. Tekniku zikaltër vlerësoi paraqitjen e skuadrës, duke lënë në plan të dytë mungesën e fitores.

Si ndjeheni tani pas ndeshjes?
Spalletti: Ndihem vërtetë shumë mirë. Skuadra funksionon dhe luan shumë mirë. Kthesa ka nisur prej kohësh dhe sot i dhamë vijimësi. Tani mund të them se kam një skuadër të fortë, rezultatin vjen i dyti.

Çfarë ndryshon në rrugën drejt zonës Champions?
Spalletti: Për ne nuk ndryshon asgjë, pasi vijojmë të mbetemi në vendin e 4t. Sot thjesht rikuperuam një pikë ndaj kundërshtarëve dhe do të vijojmë të luftojmë në këto 8 javë të mbetura. Milani është -8, por edhe ata janë ende në garë, të paktën përderisa matematika ua lejon.

Si i komenton rastet e humbura të Icardit?
Spalletti: Nuk kam asnjë koment. Është diçka që ndodh dhe sot për fat të keq i ndodhi Mauros. Ai vijon të jetë një sulmues i madh.

A meritonit diçka më shumë?
Spalletti: Unë nuk merrem me avantazhe loje, apo me anulime goli. Luajtëm mirë dhe treguam se jemi shumë të fortë. Nuk pësojmë prej 5 ndeshjesh radhazi dhe krijojmë mjaftueshëm për të fituar ndeshjet. Këto janë vlerësimet e mia.

Ku mund të përmirësohet më shumë ky Inter?
Spalletti: Ka ende vend për përmirësime dhe këtë do ta bëjmë çdo ditë. Shkojmë akoma shumë të paktë në zonë, kur vijnë krosime nga krahu. Sot vetëm Perisiç ka krosuar 7-8 herë, Candreva e Cancelo gjithashtu dhe ne shkonim shumë dobët në zonë, duke mos kapur asnjë prej topave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here