Lajme të mira nga infermeria për Ilir Dajën. Trajneri i Skënderbeut shikon dy prej futbollistëve më të rëndësishëm t’i rikthehen stërvitjes me grupin. Bëhet fjalë pikërisht për Orges Shehin dhe Sabien Lilajn. Portieri, që la fushën i dëmtuar në takimin e 21 marsit me Luftëtarin, ka kaluar dëmtimin në kofshë dhe pamjet teksa kryen stërvitjen me zhdërvjelltësi në lëvizje bashkë me portierët e tjerë injektojnë besim për një rikuperim të shpejtë, ndërkohë që dhe Sabien Lilaj, që mungoi për disa javë në seancat e fundit stërvitore ka marrë ngarkesë të njëjtë me shokët e skuadrës dhe është shumë pranë rikthimit në fushën e blertë.

Të dy futbollistët shpresohet që mund të jenë gati për t’u aktivizuar që për sfidën e kësaj fundjave në kampionat me Kamzën, por kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim, ndërkohë që stafi mjekësor dhe trajneri nuk dëshirojnë të nxitohen, duke kërkuar që lojtarët të kthehen në lojë në gjendjen optimale. Gjithsesi, edhe nëse nuk ia dalin për ndeshjen me Kamzën, në Korçë shpresojnë që t’i kenë të gatshëm Shehin dhe Lilajn për një sfidë më të rëndësishme, atë të kthimit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ku Skënderbeut i duhet të përmbysë disavantazhin 1-0 ndaj Flamurtarit.

Eksperienca dhe aftësitë e Shehit dhe Lilajt janë shumë më të nevojshme. Për ndeshjen me skuadrën e Duros, Ilir Daja do të ketë të gjithë grupin të plotë, me përjashtim të Bruno Ditës, të cilit i është dhënë një javë pushim pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen e fundit me Flamurtarin, ku pas golit të shënuar u detyrua të lërë fushën në pjesën e dytë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here