Skënderbeu po i drejtohej i qetë titullit kampion, një kampionat përrallor ku askush nuk ka guxuar ose nuk ka pasur forcën të guxojë ti ndërpresë marshimin triumfues. Të kuptohemi bardhekuqtë janë sërish në rrugën e duhur për ta mbyllur në krye, mjafton të përmendet se i duhen 5 fitore në 9 sfidat e mbetura për të dërguar në muze një tjetër trofe dhe natyrisht nuk duket një mision i ndërlikuar për një superskuadër që deri më tani ka konkretizuar 18 fitore në këtë kampionat, megjithatë diçka është krisur në aspektin psikologjik.

Menjëherë pas dënimit ekstrem të UEFA-s erdhi një disfatë deri diku e kuptueshme në Shkodër përballë një kundërshtari që me “thikë ndër dhëmbë” po kërkon të mos përfundoj në “gropën e errët” të kategorisë së parë. Pritej një reagim në gjysmë-finalen e Kupës me Flamurtarin, por erdhi një tjetër “knock-out”, një humbje që kompromenton ndjeshëm objektivin numër 2 të sezonit.

Njolla krize edhe pse kriza është një fjalë ende “tabu” për Skënderbeun. Të hënën korçarët do të zbresin në Vlorë, kësaj here për kampionat. Morali nuk është ai i ditëve më të mira, për më shumë që nuk kanë një lider si Orges Shehi, jo thjesht në aspektin teknik por në atë çfarë ai i transmeton ekipit gjatë ndeshjes.

Pas humbjes ndaj Vllaznisë trajneri Daja ishte i qartë, “Nuk duhet të flakim gjithçka të mirë që kemi bërë deri më tani”, një sinjal alarmi me frikën e një përkeqësimi fatal të situatës. Për momentin niveli i shqetësimit nuk është ende maksimal, por një disfatë eventuale përballë Flamurtarit mund ta ndryshonte sezonin përrallor të Skënderbeut në një makth të pabesueshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here