Java e 19-të e Kategorisë Superiore do të nisë ditën e premte me atë që mund të cilësohet si supersfida e këtij raundi. Ne stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, skuadra e Ilir Dajës do të përballet me Flamurtarin. Dueli mes vendit te parë dhe të dytë mund të përcaktojë shumë persa i përket luftës për titull. Nëe fitore eventuale e bardhekuqve do të përkthehej në një hap të sigurt drejt trofeut, ndërkohë që nëse të besuarit e Duros largohen me 3 pikë nga qyteti juglindor, atëherë rikthehet beteja. Kjo superndeshje do të zhvillohet të premten, në orën 18:00.
Raundi i 19-të do të plotësohet ditën e shtunë kur do të luhen edhe 4 takimet e tjera. Në orën 14:00, Kukësi do të ketë një duel për të mos u nënvlerësuar kundër Kamzës ne “Zeqir Ymeri”. Kampionët, pasi e rinisën sezonin me fitore, duket se kanë kryer një hap prapa, për shkak të dy barazimeve radhazi, në Kupë ndaj Tiranës dhe të dielën e shkuar kundër Flamurtarit. Në të njëjtën orë Lushnja do të presë Vllazninë. Një duel mbijetese në “Roza Haxhiu”. “Lagunarët” për të mbajtur të gjalla shpresat duhet të sigurojnë maksimumin e pikëve, në krahun tjetër kuqebluve nuk u falet më asnjë hap fals.
Në orën 17:00, Partizani do të përballet me Laçin dhe Teuta do të sfidojë në “Niko Dovana” Luftëtarin. “Demat” kanë rigjetur disi buzëqeshjen pas fitores ndaj Kamzës dhe do të kërkojnë të vijojnë në këtë rrugë, ndërkohë që Teuta ka mundësinë të shfrytëzojë përballjen mes Lushnjës dhe Vllaznisë për t’iu shkëputur edhe më shumë zonës së ftohtë, pavarësisht se nuk do ta ketë një “shëtitje në park” duelin ndaj gjirokastritëve.

E premte
Skënderbeu – Flamurtari (ora 18:00)

E shtunë
Kukësi – Kamza (ora 14:00)
Lushnja – Vllaznia (ora 14:00)
Partizani – Laçi (ora 17:00)
Teuta – Luftëtari (ora 17:00)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here