Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, i ftuar në emisionin “Zona Gol”, sqaroi kthimin e vendimeve të Asamblesë së FSHF-së nga Gjykata, që nuk mund të konsiderohet rrëzim, por thjesht plotësim dokumentacioni.

“Është procedurë standarde që pas mbarimit të Asamblesë shkon dosja për regjistrim në Gjykatë. Kanë shkuar të gjitha aktet në Gjykatë dhe gjyqtarja ka bërë kthim aktesh. Komentet në disa media janë keqdashëse. Është procedurë normale. Gjyqtarja ka parë disa mungesa, dosja do të plotësohet dhe s’do të ketë asnjë problem.”

Shulku sqaroi me në detaje se gjyqtarja thjesht ka kërkuar vendimet e Asambleve të mëparshme, ku është marrë vendimi për anëtarët e rinj të FSHF-së

“Gjyqtarja ka kërkuar të ketë në dispozicion vendimet e asambleve të mëparshme për ndryshimin dhe shtimin e numrit të anëtarëve. E ka parë të arsyeshme që nuk përputhet data e dërgimit me aktet e lëshuara për pronarët e klubeve. Nuk shkohet në zgjedhje të reja, nuk cënohet legjitimiteti i FSHF-së, janë zgjedhur organet drejtuese. Është procedurë normale nuk është rrëzim por kthim.”

Në lidhje me informacionet se Flamurtari nuk plotëson kriterin financiar për t’u licencuar për Kupat e Europë, Shulku komentoi:

“Nuk e di nëse Flamurtari nuk do të licencohet. Ka dorëzuar dokumentat për të 5 kriteret që duhen plotësuar për të marrë licencës. Nëse do të ketë mangësi në kriterin financiar, komisioni do të vendosë të mos e licencojë, por unë nuk e di se çfarë ka në dosje që të them nëse do të licencohet ose jo.”

Javët e fundit janë shtuar kritikat apo më keq akuzat ndaj gjytarëve nga skuadrat e Superiores, por Shulku mohon kategorikisht që të ketë patur gabime me qëllim.

Shpeshherë për të anashkaluar problemet ose formën që kanë skuadrat e kalojnë problemin te arbitrat. Arbitrat kanë patur problemet e tyre. Forma e tyre shkon me formën e skuadrave. Ndeshjet e sotme kanë qenë pa probleme, asnjë gjyqtar nuk ka ndikuar në rezultat. Javët e mëparshme ka patur gabime, por nuk ka një ekip që sot nuk ka pozicionin që meriton me atë çfarë ka dhënë në fushë. Nuk mund të pranoj që gabimet janë të qëllimshme. Edhe në studio, kur diskutoni, nuk jeni në unison për vendimet e arbitrave.

Për dënimin e rëndë të dhënë nga UEFA për Skënderbeun, Shulku këmbëguli se duhen pritur vendimet e të gjitha shkallëve të drejtësisë sportive.

Pavarësisht vendimit që ka marrë UEFA, të gjithë jemi të vetëdijshëm që nuk është marrë në bazë të një dosjeje të plotësuar, ka shumë anomali. Nuk ishte Skënderbeu ekipi për t’u dënuar në këtë masë. Çështja është në gjykim dhe do të apelohet, duhet të presim KAS-in. Vendimi mund të jetë ndryshe. Nuk mund të flasim me “nëse”. FSHF ka bashkëpunuar me UEFA-n për disa ndeshje që na kanë ardhur dhe i kemi dërguar në Prokurori. FSHF nuk ka mundësi reale për të hetuar një ndeshje, sepse nuk jemi në kushte për ta bërë këtë. Për Skënderbeun UEFA nuk na ka sjellë raporte me hetime të detajuara. Kjo është një çështje e Skënderbeut dhe jo e FSHF-së. I jemi përgjigjur UEFA-s me ato që kemi patur në dispozicion. Para disa vitesh erdhën inspektorët e UEFA-s në Shqipëri, patën takim me Prokurorinë për hetimin e ndeshjeve të trukuara. Dy prokurorët tanë shkuan në UEFA. Bashkëpunim ka patur. UEFA çështjet apo ndeshjet që mendon se janë trukuara i ka dërguar në Prokurori.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here