Pas 2 barazimeve radhazi në shtëpi në grupin kualifikues të Europianit të 21-vjeçarëve, kombëtarja Shpresa e Shqipërisë do të synojë të rikthehet te fitorja sot kur të presë në orën 17:20 Sllovakinë në stadiumin Selman Stërmasi. Hyrja për tifozët do të jetë falas pasi FSHF dëshiron që të jenë sa më të shumtë në numër fansat që do të mbështesin nga shkallët e stadiumit skuadrën e Alban Bushit. Ashtu si kuqezinjtë 21-vjeçarë edhe Sllovakia ka grumbulluar vetëm 6 pikë në 5 ndeshjet që ka zhvilluar në grupin 2, por këta të fundit vinë në këtë sfidë pas një momenti jo të mirë pasi kanë pësuar 3 humbje radhazi edhe pse 2 disfatat e fundit kanë ardhur ndaj skuadrës më të fortë të grupit Spanjës. Shqipëria do të ketë mungesa në këtë ndeshje pasi Kristal Abazaj dhe Ylber Ramadani janë grumbulluar nga kombëtarja e madhe për miqësoren ndaj Norvegjisë, ndërkohë që të dëmtuar janë portieri Selmani, mesfushori Qazim Laçi apo edhe sulmuesi Fiorin Durmishaj. Bushi ka grumbulluar disa elementë të rinj dhe shumë lojtarë që luajnë në Kategorinë Superiore ndërkohë që ka rikthyer dy sulmuesit Rey Manaj e Taulant Seferi nga të cilët pret shumë në sfidën e sotme por edhe në atë të pas disa ditëve në transfertë ndaj Sllovakisë. Një fitore në këtë sfidë do ta ngjiste Shqipërinë U-21 në vendin e tretë me kuqezinjtë që do të ruanin gjallë shpresat për ta mbyllur grupin të 2-ët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here