Të mërkurën në orën 12:00, në Lozanë të Zvicrës do të hidhet shorti i Ligës së Kombeve (Nations League), turneut më të ri të UEFA-s. Pasi janë përcaktuar ligat ku do të luajnë skuadrat dhe vazot në të cilat janë pozicionuar, nga përzierja e goglave do të mësohen kundërshtarët e Shqipërisë në këtë kompeticion, që do të zhvillohet çdo dy vjet dhe ku do të marrin pjesë të gjitha skuadrat europiane.

Shqipëria bën pjesë në Ligën C, i cili organizohet në 4 vazo dhe kuqezinjtë, bashkë me Greqinë, Serbinë dhe Norvegjinë, bëjnë pjesë në vazon e dytë.


Kjo ligë do të ndahet në 4 grupe, që do të përbëhen nga 1 ekip i çdo vazoje, çka bën që Shqipëria të mos përballet me Serbinë, Greqinë dhe Norvegjinë. Gjithsesi, është tërësisht e mundur një përballje me fqinjët e Malit të ZI, ashtu si edhe Izraeli, me te cilët ishim edhe në grupin eliminator të ‘Rusi 2018’.

Liga A përbëhet nga 12 skuadrat më të mira kontinentale, mes të cilave Gjermania, Portugalia, Belgjika e Spanja në vazon e parë; për të vijuar me Francën, Anglinë, Zvicrën dhe Italinë në vazon e dytë dhe më tej me Poloninë, Islandën, Kroacinë dhe Holandën në vazon e tretë.

Edhe në Ligën B janë 12 skuadra të nivelit shumë të lart, nga Austria, Uellsi, Rusia e Sllovakia në vazon e parë; Suedia, Ukraina, Republika e Irlandës e Bosnja në vazon e dytë dhe Irlanda e Veriut, Danimarka, Republika Çeke dhe Turqia që pozicionohen në vazon e tretë të shortit.

Përsa i takon Ligës D, më e ulëta e turneut, aty janë 16 skuadra, me përfaqësuesen e Kosovës që do ta nisë shortin e vazon e katërt përkrah Andorrës, San Marinos dhe Gjibraltari, ndërsa kokat e grupit do të jenë Azerbajxhani, Maqedonia, Bjellorusia dhe Gjeorgjia.

Organizimi dhe ndarja e skuadrave në grupe do të bëhet sipas formatit të mëposhtëm, ndërsa në Ligën C, ku bën pjesë Kombëtarja Shqiptare, do të formohen 3 grupe me nga 4 skuadra dhe 1 grup me 3 skuadra.

Kompeticioni më i ri i UEFA-s është cilësuar si “shpëtimtari” i ndeshjeve miqësore në futbollin kontinental, duke i dhënë një nivel të lartë konkurrence. Përballë fuqizimit gjithmonë e në rritje të klubeve dhe dëshirës për të mos lëshuar yjet e tyre në miqësore pa vlerë, UEFA mendoi pikërisht këtë format për të shtuar konkurrencën dhe atë çfarë është në lojë, si dhe për të bindur futbollistët se Kombëtarja është gjithmonë krenari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here