Edhe pse përflitej prej kohësh, tashmë Kamza është zyrtarisht në garën për mbijetesë. Skuadra e Ramazan Ndreut nuk fiton në 7 ndeshjet e fundit, ku ka marrë dy barazime dhe 5 humbje, rezultate të cilat janë shoqëruar me disa fitore të Vllaznisë dhe Teutës.

Ky kombinim ka bërë që diferenca midis Kamzës së vendit të 7 dhe Teutës së vendit të 9, të jetë vetëm 4 pikë, me duelet direkte që nuk mungojnë në këtë fazë të fundit të Superiores.

Madje për të përkeqësuar situatën tek skuadra nga periferia e kryeqytetit, është fakti se finalet direkte me rivalët për mbijetesë, i ka në transfertë. Ajo që bie në sy është fakti që përveç se po pëson gola rregullisht, Kamza ka humbur forcën në sulm, pasi në 7 ndeshjet e fundit ka shënuar vetëm 3 gola, duke mbyllur pa shënuar asnjë gol, 5 prej këtyre takimeve.

Vetëm disa javë më përpara, Kamza cilësohej si skuadra surprizë e kampionatit, duke arritur deri në vendin e 3-të të renditjes, teksa nën zë po flitej edhe për të synuar një vend në zonën europiane.

Gjithsesi, shifrat flasin për një ekip të dobët në sprintin final, teksa pikët e grumbulluara në pjesën e parë të sezonit e kanë ndihmuar të qëndrojë larg telasheve për një periudhë kohë të caktuar. Por tashmë kur janë edhe 8 javë deri në fund, blutë rrezikojnë seriozisht, edhe pse për momentin mbeten më larg se ndjekësit.

Fundjavën e ardhshme Kamza shkon në Korçë për të kërkuar pikët dhe për të përfituar nga dueli direkt midis Teutës dhe Vllaznisë. Deri në fund të sezonit janë shumë pikë në dispozicion, por për të siguruar mbijetesën, Kamza duhet të rikthehet tek fitorja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here