Seria A do të vijojë sot me takimet e tjera të javës së 23-të, teksa në orën 12:30, Roma do të zbresë në fushë në ‘Bentegodi’, ku do të përballet me Veronën. Verdhekuqtë janë zhytur në një krizë rezultatesh dhe sot do të kenë një mundësi të mirë për t’u rikthyer te fitorja dhe për të qëndruar në xhiro për një vend në Champions. Nga ana tjetër, Verona është në vendin e parafundit dhe synon t’i largohet zonës së ftohtë, ndërsa javën e kaluar mposhtën Fiorentinën në ‘Artemio Franchi’, me rezultatin 1-4, duke rritur shpresat për të qëndruar në A.

Në orën 15:00 do të zhvillohen edhe 5 takime të tjera, mes të cilave, Juventusi do të presë në ‘Allianz Stadium’, Sasuolon, me synimin e vetëm, marrjen e 3 pikëve. Bardhezinjtë qëndrojnë në vendin e dytë, me vetëm një pikë më pak se Napoli dhe janë të gatshëm të përfitojnë nga ndonjë hap fals i këtyre të fundit.

Në Friuli, Milani do të kërkojë t’i japë vazhdimësi rezultateve, teksa vjen pas 3 fitoresh radhazi dhe një e 4-t do të rihapte shpresat për një vend në Champions. Gjithsesi, misioni nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi përballë do të gjejnë Udinesen, që me Massimo Oddon ka rilindur dhe është kthyer në një skuadër që mund t’i hapë punë çdo kundërshtari.

Napoli kryesues do të zbresë në fushë në mbrëmje, në përballjen me vendin e fundit të renditjes, Beneventon. Në këtë sfidë pritet të ketë edhe një derbi shqiptar mes Memushajt e Gjimshitit te vendasit dhe Hysajt te napolitanët. Skuadra e Sarrit e ka shpallur hapur objektivin për të fituar titullin dhe për ta arritur, nuk duhet kurrsesi të gabojnë në sfida të tilla. Nga ana tjetër, Benevento ka bërë disa afrime në merkato dhe do të luajë gjithçka për të synuar qëndrimin, ndonëse është shumë larg zonës së shpëtimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here