Pas përfundimit të garës së Argjentinës, Valentino Rossi u shfaq i tërbuar me gjestin e Marc Marquez, që e nxori italianin nga pista. Doktori nuk përmbahej në fjalët e tij, teksa tha se tolerimi ndaj tij, por e bën këtë sport të rrezikshëm.

“Të paktën unë jam mirë dhe kjo ka rëndësi. Ai donte të më bëjë keq dhe nuk kam asnjë dyshim për këtë. Marc nuk ka respekt për kundërshtarët dhe bën çdo gjë me qëllim, ndaj edhe unë kam frikë të qëndroj në pistë me të, sepse nuk ndihem i mbrojtur. Drejtuesit e garës duhet të bëjnë diçka, pasi vërtetë ishte një gjest për të bërë keq”, tha Rossi.

Piloti italian i Yamahas nuk e ndali tërbimin e tij ndaj spanjollit, teksa theksoi se kjo nuk është hera e parë që e pëson prej tij dhe se Marquez ‘provokon’ të gjithë pilotët në pistë.

“Sot ai ka pasur probleme me 4-5 pilotë të tjerë. Të godet këmbën, i vetëdijshëm se nëse e bën atë gjest, ti do të rrëzohesh. Dikush mund të thotë se janë gjëra që ndodhin, por ai i bën qëllimisht. Mjafton të shikoni këtë vit, kur e nisi në Katar, duke nxjerrë jashtë Zarcon. Këtu në Argjentinë e nisi që të premten, duke bërë rolin e budallait me Vinalesin dhe sot e me mua e Dovizioson. Të mos flasim për rregulloren pastaj, sepse iu fik motori para nisjes dhe duhet të futej nga Pit Lane, por ai preferoi të ecë në krah të kundërt, duke bërë çfarë i pëlqen. E ka ngritur konkurrencën në një nivel vërtetë shumë të rrezikshëm dhe kjo mua nuk më pëlqen”, deklaroi Rossi.

Më pas Doktori tha se jo vetëm që nuk do t’i pranonte faljet e tij, por i bëri apel Marquezit, që të mos e marrë mundimin ta përshëndesë. Rossi nuk la pa kujtuar as incidentin e 2015-ës, që i kushtoi italianit titullin kampion.

“Me mua merret më shumë se me të gjithë. Në 2015-ën bëri që unë të humb Botërorin, qëllimisht. Më pas kërkoi falje dhe unë e mbylla atë histori, por tani mjaft më… Nuk mund të bëhet shaka me mua. Shpresoj që as të mos më flasë dhe as të mos më shikojë, jo të më kërkojë falje”, u shpreh i revoltuar Valentino Rossi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here