Cristiano Ronaldo merr për dore Realin e Madridit drejt një tjetër fitoreje, e treta rradhazi në të gjitha kompeticionet dhe e dyta në La Liga në shenjën e yllit portugez. Është një moment i artë ky për CR7-ën që pas atij ndaj Getafes realizoi një tjetër dygolësh ndaj Eibarit duke i dhënë fitoren 2-1 skuadrës së Zidane në transfertën baske të “Ipurua”. Ishte një ndeshje e vështirë për Los Blancos që në fund falë klasit të Ronaldos morën një fitore me shumë vlera nëpërmjet së cilës blinduan në një farë mënyre vendin e 3-të në Primera Division. Ronaldo zhbllokoi shifrat në minutën e 34-të me një goditje të bukur pas asistit të Modric, por vendasit nuk e humbën entuziasmin dhe në minutën e 50-të barazuan shifrat me qëndërmbrojtësin Ramis. Për t’i dhënë tre pikët Realit mendoi sërish ai shpëtimtari i skuadrës merengues në momentet më të vështira pikërisht Cristiano Ronaldo i cili në minutën e 84-t shfrytëzoi krosimin e Carvajal dhe me kokë mposhti për herë të dytë në këtë sfidë portierin e Eibarit Dmitrovic. Me këtë dygolësh Ronaldo u ngjit në kuotën e 18 finalizimeve në La Liga, 6 më pak se Messi dhe kur mbeten edhe 10 javë për t’u luajtur portugezi ka shanse për të fituar Këpucën e Artë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here