Roma bëhet gati për një ndër sfidat më të mëdha të sezonit, teksa do të vizitojë në San Siro ekipin e Interit, një rival i drejtpërdrejtë në luftën për zonën Champions. Situata nuk është aspak e qetë në klubin verdhekuq, sidomos pas zërave për një largim të mundshëm të dyshes Nainggolan – Strootman, lajme që kanë trazuar ndjeshëm ambjentin në këtë pjesë të kryeqytetit italian. Tifozët me të drejtë nuk duan të privohen nga të tjerë lojtarë të rëndësishëm të skuadrës, pas largimit në verë të emrave të tillë si Salah, Rudiger dhe Paredes. Që nga viti 2012 kur klubi roman u ble nga miliarderi Italo-Amerikan James Pallotta janë arkëtuar plot 301 milionë euro vetëm nga shitja e futbollistëve, megjithatë kjo gjë nuk është se reflektohet shumë te rezultatet, ku sidoqoftë verdhekuqtë krenohen thjesht me tre vende të dyta në vitet 2014, 2015 e 2017. Është e kuptueshme që Juventusi është pikërisht klubi që ka dominuar gjashtë sezonet e fundit në Apenine, megjithatë duke lënë mënjanë distancën prej 4 pikësh në edicionin e fundit diferencat ndërmjet dy klubeve janë jashtëzakonisht të mëdha. Mbi të gjitha te Roma nuk po arrihet ndërtimi i një skuadre të madhe, që të jetë në gjendje për të rikthyer titullin për herë të parë që nga viti i largët 2001, kur ekipi drejtohej nga Fabio Capello. Edhe në sezonin 2017-18 Roma vazhdon të rrotullohet pranë vendit të dytë, por është lehtësisht e kuptueshme që drejtuesit po mendojnë më shumë për bilancin e përgjithshëm, në një kohë kur verdhekuqve iu nevojitet patjetër një pozicionim mes katër vendeve të para të kampionatit italian. Premtimi që pritet të përmbushet është ai i Stadiumit dhe pavarësisht vonesave të shumta, kredisë me Goldman Sachs apo dhe rinovimit të kontratës me Stadiumin Olimpico, për të qëndruar aty deri në vitin 2020, të paktën në letër Roma pritet ta ketë gati shtëpinë e saj të re për sezonin 2020-21. Ngërci financiar po reflektohet gjithashtu edhe në fushë, me futbollistët e Eusebio Di Francesco-s që janë lëshuar disi, gjë që lexohet qartësisht edhe te rezultatet, pasi verdhekuqtë nuk fitojnë një ndeshje si në kampionat ashtu edhe në Kupën e Italisë prej më shumë se një muaji, më saktë që nga 16 dhjetori, kur gjithsesi golin e fitores ndaj Kaljarit Fazio e shënoi me tepër fat, pikërisht në 94′ të takimit. Me shumë gjasa do të mungojë Perotti, sidoqoftë Roma që e ka mundur Interin në 4 nga 6 vizitat e fundit në San Siro përfaqëson skuadrën që e ka vënë më shumë në vështirësi ekipin zikaltër në 16 ndeshjet e para të këtij sezoni, periudhë ku Interi i Spaletit as që e dinte se cfarë ishte humbja. Madje për të gjithë ata që kanë një kujtesë të mirë Roma goditi tre herë traversën e portierit Handanovic, në një ndeshje ku pati polemika për drejtimin e takimit nga gjyqtari toskan Massimiliano Irrati, si dhe për qëllimin e vërtetë të sistemit VAR.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here