Më në fund ish kampioni i botës i peshave të rënda Tyson Fury vendosi për t’iu rikthyer boksit dhe 29-vjeçari nga Manchesteri ka fiksuar 9 qershorin si datën e zhvillimit të ndeshjes së tij të parë që nga viti 2015. Takimi i fundit për “Gypsy King” është regjistruar më 18 nëntorin e atij viti, në Gjermani, në Esprit Arena të Dyseldorfit, ku boksieri britanik mposhti veteranin ukrainas Wladimir Klitschko, duke fituar me radhë gjithë brezat në versionet WBA, IBF, WBO dhe IBO. Natyrisht që bëhet fjalë për një shkëputje të gjatë, pasi dy vjet e gjysmë pa boksuar konsiderohet si një periudhë e madhe kohe, sidoqoftë arsyeja e vërtetë e tërheqjes së Tyson Fury-t është pezullimi i 29-vjecarit nga organet më të larta të anti – dopingut, vendim të cilin Fury e pranoi në dhjetorin e vitit 2015, por gjithashtu shkak u bënë edhe problemet shëndetësore që ka patur boksieri me origjinë irlandeze. Pas vendimit për t’iu rikthyer sërish aktivitetit Tyson Fury deklaroi se mezi c’pret për t’i treguar mbarë botës që ai është boksieri më i mirë, pavarësisht shkëputjes së gjatë, madje 29-vjecari anglez beson se me nivelin e konkurrencës që ofron boksi i peshave të rënda nuk do të jetë shumë e vështirë për të për t’u rikthyer në fron, pasi tani ndihet më i fortë, më i shpejtë dhe me shumë më tepër besim sesa më parë.

Ndeshjen e tij të parë në peshat e rënda Fury e ka zhvilluar vetëm një dekadë më parë dhe kurioz është fakti se që nga viti 2008 kur ka bërë debutimin “Gypsy King” i ka fituar që të 25 takimet në boksin profesionist. Gjatë mungesës së tij boksieri tjetër britanik Anthony Joshua përfitoi nga rasti për të fituar gjithë brezat në Federatat IBF, IBO, WBA dhe WBO në peshat e rënda, ndërkaq titulli në Federatën WBC mbahet nga boksieri nga Shtetet e Bashkuara Deontay Wilder. Tyson Fury-t iu rikthye licensa për të boksuar përsëri pikërisht në fillim të këtij viti dhe 29-vjecari britanik firmosi pa humbur kohë me Frank Warren. Promoteri i famshëm londinez ka deklaruar se Tyson Fury tani është mirë nga ana shëndetësore, por gjithsesi do t’i nevojitet kohë për të fituar formën e nevojshme që kërkon një ndeshje e mirëfilltë, në peshat e rënda. Pasi i rrëmbeu titullin në versionin WBO më datë 31 mars zelandezit Joseph Parker kampioni në fuqi i botës Anthony Joshua menjëherë shprehu publikisht dëshirën për t’u ndeshur me amerikanin Wilder ose bashkëkombasin e tij Tyson Fury. Pas duelit Joshua – Parker Federata WBA ka urdhëruar boksierin me origjinë nigeriane për të filluar bisedimet me sfidantin rus Alexander Povetkin, por Anthony Joshua preferon që të masë forcat me 32-vjeçarin nga Alabama Deontay Wilder. Interesant është fakti që pas triumfit ndaj Wladimir Klitschko-s Tyson Fury ra dakord për takimin e revanshit, por ajo ndeshje u shty vazhdimisht nga boksieri britanik me pretekste të ndryshme, deri sa “Gypsy King” mori edhe vendimin për t’u tërhequr, sidoqoftë për fatin e mirë të gjithë të apasionuarve tani Tyson Fury ndryshoi mendim dhe vendosi për t’u ndeshur më datë 9 qershor në vendlindje, në Manchester Arena, ndaj një kundërshtari që nuk bëhet ende i ditur.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here