Shpresë për Manuel Neuer për të qenë pjesë e Gjermanisë në “Rusi 2018”. Klubi bavarez ka njoftuar sot se për herë të parë pas gjashtë muajsh 32-vjeçari ka nisur të stërvitet me topin, çka bën të mendosh se nuk do ta humbasë Botërorin. Neuer ka bërë ushtrime të ndryshme, duke e goditur pa problem topin me këmbë. “Gardiani” i kampionëve të Bundesligës mungon në fushat e blerta që nga muaji shtator, kur iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për të rikuperuar një frakturë në shpinën e këmbës.

Fillimisht u mendua se portieri do të ishte në dispozicion të trajnerit Jupp Heynckes në fillim të vitit, por rikuperimi i plotë kërkoi më shumë kohë, aq sa shkaktoi frikë se mund të rrezikonte pjesëmarrjen në “Rusi 2018”. Neuer ka më shumë se dy muaj kohë për të rifituar gjendjen fizike dhe reflekset para se të nisë Botërori. Pritet që të aktivizohet në radhët e Bayernit në disa takime të Bundesligës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here