Massimiliano Allegri është kthyer të flasë 3 ditë pas eliminimit nga Champions League kundër Realit dhe ka marrë në mbrojtje kapitenin Buffon. Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Sampdorian, ai gjithashtu ka vlerësuar paraqitjen e të tijve dhe nuk ka preferuar të merret me penalltinë, por me një detaj tjetër, që askush nuk e kishte analizuar më parë.

Më e keqe penalltia apo Alex Sandro?
Allegri: Ishte minuta e 93-të dhe në atë kohë është e vështirë të ruash freskinë mendore. Nuk më ka turbulluar as penalltia dhe as pozicioni i Alex Sandros, madje dua t’i bëj komplimente djemve, për ndeshjen e bukur. Ishte një mbrëmje fantastike për futbollin dhe fansat meritonin të ndiqnin edhe një tjetër 30-minutësh, gjithsesi tani nuk ia vlen më të diskutojmë. Duhet të përqendrohemi te Sampdoria në kampionat, për të synuar titullin e 7 radhazi, por edhe në Kupën e Italisë.

Si e komentoni reagimin e Buffon?
Allegri: Të gjykosh nga jashtë është gjithmonë e lehtë, por duhet të ndodhesh në të njëjtën situatë për ta kuptuar. Gigi për 20 vite ka qenë gjithmonë një shembull, brenda dhe jashtë fushës së lojës, ndaj një herë, në një situatë të vështirë dhe të komplikuar, besoj se duhet mirëkuptuar. Iu hoq edhe mundësia për t’i pritur penalltinë Ronaldos, kështu që ta gjykosh tani nuk ka sens. Nëse ndonjë njeri në botë nuk do të reagonte në ato momente, atëherë do të kishte probleme psikologjike.

Si e vlerësoni paraqitjen e arbitrit Oliver?
Allegri: Mendoj se ka gjykuar mjaft mirë një ndeshje aspak të lehtë. Nuk dua të merrem fare me penalltinë, ishte apo nuk ishte. E vetmja gjë që gjyqtari mendoj se gaboi, por që asnjë nuk e evidentoi, ishte akordimi i 3 minutave shtesë. Në pjesën e dytë u krye vetëm një zëvendësim, ndërsa nuk pati asnjë ndërhyrje të mjekëve në fushë, ndaj duhej dhënë vetëm një minutë shtesë. Nuk është kusht që të japësh gjithmonë 3 të tilla.

E keni ndarë mendjen për formacionin?
Allegri: Do të luajë Buffon, njëri mes Ruganit dhe Benatiasë, ndërsa De Schiglio ka një problem. Në sulm do të luajë Cuadrado dhe me shumë gjasa Mandzukiç e Higuain, gjithsesi deri nesër do të bëjmë sërish vlerësimet.

A ndikon eliminimi në të ardhmen tuaj?
Allegri: Nuk besoj se lidhet me të ardhmen time, pasi skuadra luajti mirë dhe garoi deri në fund. Pas takimit në Madrid nuk kam folur ende me presidentin. Gjithsesi unë kam kontratë deri në vitin 2020 dhe kur të ulemi, do diskutojmë për planet e sezonit të ardhshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here